27 nentor 2013 –  Në një seancë maratonë, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot mocion me debat për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Debati cili zgjati për më shumë se 6 orë, ishte kërkuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Në paraqitjen e kërkesës për zhvillimin e këtij debati dhe miratimin e tekstit të rezolutës përkatëse, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka vuri theksin në angazhimin e partisë më të madhe të opozitës për të mbështetur vazhdimin e proceseve integruese me synim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si aspiratë e padiskutueshme e mbi 87% të qytetarëve shqiptarë.

Rezoluta, që u miratua me 105 votat e të gjithë deputetëve të pranishëm ndër të tjera rikonfirmon se integrimi i Shqipërisë në BE është objektivi madhor i vendit dhe përbën axhendën kombëtare të Kuvendit; konfirmon angazhimin e këtij institucioni që përparimi në procesin e integrimit të Shqipërisë të bazohet në meritë; thekson se marrja e statusit të vendit kandidat brenda dhjetorit të këtij viti duhet të përbëjë prioritetin kryesor të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë. Ndërkaq, rezoluta i kërkon unanimisht vendeve anëtare të Bashkimit Euroian dhe i inkurajon ato që të mbështesin propozimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, si dhe të ardhmen europiane të vendit.