KORÇË, 27 nentor 2013 – Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë për gardianët e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. 21 policët e burgut të Drenovës u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme një ditë pas arratisjes së 7 të dënuarve nga burgu i sigurisë së lartë në Korçë. Gardianët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë penguar 7 të dënuarit të arratisen. 
Gjykata vendosi masën “burg pa afat” për gardianin Arben Potka, punonjës i sektorit 3 në burgun e Drenovës, i cili tha se e kishte hapur derën pasi të dënuarit e kishin kërcënuar se do ta vrisnin.

“E hapa derën pasi më kërcënuan me armë. Nuk mund të kundërshtoja, më thanë se do më vrisnin.”- deklaroi Potka në gjykatë.

Gjithashtu Gjykata vendosi masën “burg pa afat” për gardianin Edmond Qarri i cili ishte duke kryer shërbimin në tunelin e burgut në momentin e arratisjes. Qarri deklaroi në gjykatë se e kishte hapur derën e tunelit, pasi të dënuarit i ishin dukur si gardianë, pasi kishin veshur jelekët e punonjësve të burgut.

“Burg pa afat” u vendos për specialistin e informacionit në burgun e Drenovës, Terpo Gjamo, i cili deklaroi në seancë se e kishte përcjellë informacionin sapo ishte njoftuar për arratisjen. Gjithashtu Gjykata vendosi "arrest me burg" për Shpëtim Peronkën. Ai ishte roje te dera e jashtme e burgut të Drenovës. I pranishëm në seancë Pernoka ka dëshmuar se nuk i ka parë të arratisurit kur kanë dalë nga burgu. “Nuk i kam parë kur dolën nga burgu. Kisha për qëllim të shikoja rrugën ndërsa të arratisurit dolën nga telat”- ka dëshmuar ai. Po “arrest me burg” është masa që është dhënë edhe për Margel Rushanin. Mbrëmjen e arratisjes Rushani ishte pjesë e grupit të gatshëm. Ai ka dëshmuar në gjykatë se nuk është njoftuar për ndërhyrje. “Sapo kishim marrë turnin,nuk u njoftuam për të ndërhyrë. Ne dolëm vetë kur dëgjuam krismat. Kur ne dolëm jashtë, ata ishin arratisur”- ka deklaruar Rushani. Ndërkohë që, masa e sigurisë “burg pa afat” është dhënë edhe për shefin e sigurisë së burgut të Drenovës, Altin Sulaj. Para trupit gjykues, shefi i sigurisë Sulaj tha se: “Isha në ambientet e paraburgimit kur ndodhi ngjarja, dëgjova të shëntat dhe dola menjëherë, më pas mblodha forcat policore dhe mora masat e menjëhershme”. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” edhe për Blear Kollçinakun me detyrë polic në sektorin 4 në burgun e Drenovës. Para gjykatës, Kollçinaku u shpreh se: “Të burgosurit më kërcënuan me armë, s’i kundërshtova të arratisurit kur kaluan në sektorin tim”. Ndërkaq, gjykata ka vendosur “Detyrim Paraqitje”, për Luljeta Dvoranin dhe Suzana Sejdarasin, me detyrë operatore. Ata kanë deklaruar se në kohën që panë se u fikën disa nga kamerat kanë dhënë menjëherë alarmin. Masat po shqyrtohen nga gjyqtarët Maksi Qirkazi, Luljeta Kola e Besnik Shehu.