DURRËS, 27 nëntor 2013 – Një pianiste nga Durrësi, Elidë Dakoli, është imazh për kompaninë e prodhuesve të pianove “Mason & Hamlin”, më e vjetra në Amerikë dhe “Piano Disc”, njofton gazetarja e “Zërit të Amerikës Keida Kostreci, në një reportazh-intervistë (shih foton me siglën e “Zërit të Amerikës). E hijshme, tejet karizmatike, pianistja shqiptaro-amerikane Elidë Dakoli është mësuar të gjejë balancën mes dy botëve, duke studiuar muzikën shqiptare dhe duke e sjellë atë në auditorët amerikanë, ndërkohë që ndjek edhe pasionin e hershëm për klasikët. Dhe në një botë moderne, ku teknologjia ka pushtuar çdo aspekt të jetës, duke e bërë gjithmonë e më e vështirë gjetjen e suksesit si muzikant klasik, pianistja Dakoli ka gjetur balancën mes të dyjave.

NGA DURRËSI NË TIRANË, VJENË, TEKSAS, LUIZIANË

Si shumë muzikantë nga Shqipëria, Elidë Dakoli e filloi pianon në moshën 6-vjeçare në Durrës. Ajo tregon se në shkollën tetëvjeçare prindërit donin që ajo të shkonte në shkollë të mesme të përgjithshme, ku të studionte më shumë për matematikë, kimi ose fizikë. “Por unë nuk dëshiroja, kështu që qëndrova me pianon dhe jam shumë e lumtur për këtë”, thotë Dakoli. “Zëri i Amerikës” thotë se, pas suksesit të hershëm si pianiste e re, Elida studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, dha koncerte në Shqipëri dhe vende të tjera evropiane. Elida tregon: “Të them të drejtën, unë kam qenë me shumë shans, pasi, sapo mbarova universitetin, fillova punë në akademi (Akademia e Arteve) si asistente-pedagoge e jashtme. Menjëherë shkova për një kurs në Vjenë dhe nga Vjena, një profesoreshë që jep mësim në universitetin Baylor (në Waco, Teksas) më ftoi të vija dhe të studioja me të”. Elida kreu një master në këtë universitet dhe aktualisht po përfundon doktoraturën në Universitetin publik të shtetit të Luizianës [Louisiana State University] dhe ka zgjedhur muzikën e kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi si objekt për disertacionin e saj.

EDUKIMI I AMERIKANËVE ME MUZIKËN E EVROPËS LINDORE

Elida ka pasur rastin të japë koncerte të shumta në Amerikë, përfshirë Kaliforninë, Teksasin, Nju Jorkun dhe Luizianën. Një ndër veprimtaritë e saj të fundit ka qenë një seri koncertesh me dy piano me një pianist argjentinas (në foto) me një repertor me muzikë nga Shqipëria, Amerika dhe Argjentina, në universitete të ndryshme të Teksasit. Dy pianistët njëkohësisht u folën studentëve për muzikën dhe kompozimet e tre vendeve. Dakoli shpjegon: “Qëllimi është që të edukojmë studentët amerikanë me muzikë të vendeve të tjera, sidomos me muzikë të vendeve evropiane, të Evropës Lindore, me të cilën ata nuk janë edhe aq shumë të njohur”.

Përveç Aleksandër Peçit, ndër kompozitorët shqiptarë, Elida interpreton klasikë si Bethoven, Brahms dhe Debysi. “Jam shumë e kënaqur që kam mundësi të punoj në anën artistike, sepse, siç dihet, artistët është pak e vështirë të gjejnë punë në Amerikë dhe sidomos nga ana koncertore”, thotë Dakoli.

KOMBINIMI I MUZIKËS ME PËRFAQËSIMIN E NJË KOMPANIE

Një ndër veçantitë e aktivitetit të saj, transmeton gazetarja Keida Kostreci, është kombinimi i muzikës me përfaqësimin e një kompanie, duke u bërë imazhi i saj. Këtë Elida e bën për kompaninë e prodhuesve të pianove “Mason & Hamlin”, më e vjetra në Amerikë dhe “Piano Disc”. Kjo e fundit përdor teknologjitë e reja për të sjellë kënaqësinë e muzikës te shikuesit. “Kur fut diskun në piano, pianoja fillon të luajë vetë, pedalet luajnë vetë, me pak fjalë., artisti nuk është aty, por duket sikur është aty. Teknologjia e fundit është që në qoftë se televizioni është i lidhur wireless me pianon mund ta shihni dhe artistin në televizor”.

NËNË DHE VEPRIMTARE
Kohët e fundit Elidës i duhet të balancojë angazhimet e saj profesionale me jetën familjare që ka ndërtuar në Dallas të Teksasit, që kur është martuar dhe është bërë nënë e një djali para 19 muajsh. Por kjo nuk ia ka ndalur asaj ambicien. Planet e saj për të ardhmen përfshijnë dhënien mësim në universitet, hapjen e një shkolle private muzike dhe të një shoqate joqeveritare për të ndihmuar fëmijë që nuk kanë mundësi të studiojnë piano, me fonde, piano dhe mësime falas.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/