27 nëntor 2013- Fatmirësisht ka rezultuar alarm fals, lidhur me çantën e braktisur pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila dyshohej se kishte lëndë eksplozive. Një qytetare nga Tepelena kishte harruar çantën jashtë ambienteve të jashtme të gjykatës, pasi nuk lejohej në ambientet e brëndshme. Çanta i përket shtetases Fiqerete Rrapaj nga Tepelena, e cila kishte shkuar të marrte disa dokumente në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Pronarja e çantës ka kërkuar falje për gjithë këtë alarm. “Duke qenë se çanta nuk lejohej brenda Gjykatës së Krimeve të Rënda, e kisha lënë atë përpara një lokali privat”, tha ajo.
“Çanta mban disa rroba të djalit tim. Pasi hyra brenda në Gjykatë, sekretarja po shikonte jashtë dhe më tha që është një çantë. Pas kësaj dola me vrap dhe thashë që çanta është e imja. U kërkoj falje për shqetësimin të gjithëve për këtë alarm”, deklaroi Rrapaj.
***
Tiranë, dyshime për eksploziv tek Gjykata e Krimeve të Rënda. Një çantë e cila dyshohet se ka lëndë eksplozive, ka ngritur në këmbë policinë në Tiranë.Nga të dhënat paraprake mësohet se çanta e dyshimtë ndodhet para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe se tashmë është bërë edhe rrethimi i zonës.Policia dhe ekspertë antieksploziv ndodhen në vendngjarje.





