TIRANE, 26 nentor 2013 – Partia Demokratike tha sot se shkelja e ligjit, emërimet klienteliste dhe shpërblimet për militantët politikë janë arsyet kryesore të gjendjes së tmerrshme të sigurisë në vend. 
Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në burgun e Drenovës, deputeti i PD-së, Arben Ristani zbuloi disa fakte, që sipas tij, ministrat i mbajnë të fshehur. Ai tha se më 11 tetor te këtij viti është emëruar drejtori i ri i Burgut të sigurisë së Lartë të Drenovës, Pajtim Meçollari, i cili sipas Ristanit, ka qëndrur në detyrë vetëm 3 ditë, duke u zëvendësuar me Genc Postolin, i cili është shkarkuar menjëherë pas ngjarjes. 
Meçollari, sipas Ristanit, ndiqej penalisht nga Prokuroria per krim elektoral. Por tre ditë, tha Ristani, ligjin në burgun e Drenovës e bënte një drejtor i paligjshëm.

“Drejtori treditësh u shpërblye normalisht për kontributin që kishte dhënë në fushatë elektorale siç janë shpërblyer edhe dhjetëra te tjere qe kane mbushur sot policinë e shtetit.”- theksoi ai.

Partia Demokratike i bëri thirrje drejtuesve të maxhorancës qeverisëse, të kthejnë në detyrë profesionistët e përkushtuar sepse vetëm ata mund t’i dalin zot rendit dhe sigurisë, në të kundërt kjo ngjarje e rëndë nuk do të jetë e fundit.