Nga Gëzim Kabashi

 

Vangjel Toçi, njeriu që e ka lidhur emrin e tij me disa nga monumentet më të rëndësishëm të antikitetit dhe të mesjetës në qytetin e Durrësit, nëse do të ishte gjallë, do të festonte 93-vjetorin e lindjes më 11 tetor 2013. Qyteti i lashtë i detyrohet prof. Vangjelit dhe ekipit që ai drejtoi në vite, zbulimin e Amfiteatrit 1900-vjeçar; mozaikun e njohur në botën shkencore me emrin “Bukuroshja e Durrësit” e që ndodhet sot në hyrje të muzeut historik kombëtar në Tiranë; termat (banjat) e periudhës romake në themelet e teatrit “Aleksandër Moisiu”; mozaikun me kalë deti, që vazhdon të jetë në pritje të specialistëve për t’u hapur përfundimisht… Lista e monumenteve dhe gjetjeve është e pafund. Mjafton të themi se në fondet e Muzeut arkeologjik të qytetit ndodhen më shumë se 20 mijë objekte të regjistruara, që ende nuk janë shqyrtuar nga arkeologët. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e veprimtarisë madhore të Vangjel Toçit.

Pse nuk ka një shesh apo rrugë me emrin e Tij?

Ishte njeriu që iu desh të ndeshej jo pak me injorancën e kohës, me mediokrit dhe me ata që mund ta sulmonin më lehtë edhe për vëllanë e tij, të pushkatuar pa gjyq nga diktatura, Mark Toçin, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur dot. Katër ditë më parë, kur në amfiteatrin e zbuluar prej tij në vitin 1966 mbërriti një grup inspektimi i organizatës “Europa nostra” patëm një motiv më shumë për ta kujtuar arkeologun, që nuk mbaroi një shkollë të specializuar, por që u bë shembull i qytetarit model për të gjithë durrsakët. Kjo është arsyeja, që qytetarët durrsakë e kujtojnë me respekt e nderim edhe sot, e shumëkush nuk e kupton arsyen përse në Durrës nuk ka një shesh apo një rrugë qendrore me emrin „Vangjel Toçi“, apo përse vazhdon ngurrimi për ti dhënë emrin e tij Muzeut Arkeologjik, të cilin ai gjithashtu e themeloi 63 vjet më parë.

Mish-shitës  

[Padituria, mediokriteti i së kaluarës shfaqet edhe sot. Në vitet 2000, bashkia e Durrësit bëri riemërtimet e infrastrukturës rrugore. Është një komedi e tërë se çfarë përmbajnë tabelat orientuese të rrugëve dhe shesheve. Deri dhe emrin e të atit të një punonjësi të kabinetit të ish-kryebashkiakut ka një rrugë, merita e vetme e të cilit ishte profesioni i nderuar i mish-shitësit. Prandaj nuk kishte vend për prof. Toçin! –ndërhyrje e “Dyrrah”-ut]  

Elbasan-Durrës-Bolonja-Durrës

Le ta rikthejmë edhe një herë në kujtesë jetën dhe veprimtarinë e Vangjel Toçit. Vangjel Toçi u lind më 11 tetor të vitit 1920 në qytetin e Elbasanit, në një familje nëpunësi. Ata u zhvendosën shumë shpejt në Durrës, ku Vangjeli përfundoi shkollën qytetëse. Mjaft i interesuar për studimin, ai ndjek liceun e Shkodrës në vitet 1937-1941. Më pas fiton një bursë për në Universitetin e Bolonjës (Itali) për mjekësi, por, për shkak të zhvillimeve të luftës, nuk mundi ta përfundojë.

Biblioteka

Bashkëkohësit e profesor Vangjelit thonë se merita e parë e tij në Durrës është krijimi i bibliotekës së qytetit më 11 shtator të vitit 1945, së cilës i dhuroi edhe  1 000 libra të tij personalë. Duke u kërkuar bashkëqytetarëve të kontribuojnë për Bibliotekën, bibliofili bëhet një lajmëtar dhe shembull i kulturës për durrsakët. Institucioni, që ndodhet ende në godinën ku u themelua, në një vend të dukshëm ka foton e themeluesit të tij, njeriut që krijoi katalogët e parë topografikë, alfabetikë, sistematikë dhe krahinorë për Durrësin.

Muzeologjia

Në vitet e drejtimit të bibliotekës Vangjel Toçi  iu kushtua me pasion muzeologjisë dhe veçanërisht specialitetit të arkeologjisë për të mos u shkëputur më prej tij. Objektet e zbuluara në nekropolin e qytetit zënë vend në stendat e bibliotekës, duke u bërë kështu eksponate të vërteta, të cilat i hapën rrugë krijimit të muzeut të parë arkeologjik në vitin 1951. Skulptura, stele, kapitele, kolona, bazamente, arkëza funerare, shtyllëza anepigrafike, etj. pjesa më e madhe e të cilave ndodhen në fondin e muzeut arkeologjik, janë objektet e shumta prej guri e mermeri, të cilat kanë parë dritën e diellit pas qindra vitesh nga përkujdesja e duarve të profesorit. Një pjesë e monumenteve u ekspozuan në lulishten e njohur sot si shëtitorja bregdetare, projekt që morri jetë falë kurajës së drejtorit [shih foton nr.4]. Nën drejtimin e Vangjel Toçit në Muzeun e Durrësit u krijuan me radhë sektorët e historisë, arkeologjisë, luftës nacional-çlirimtare, etj.; në vitin 1968, pasi afroi në muze disa nga artistët më të shquar durrsakë, ai ngriti galerinë e arteve figurative. Pak para se të dite në pension, ai bëhet nismëtari i ndërtimit të muzeut të ri arkeologjik të qytetit antik, vepër e cila përfundoi vetëm 10 vjet më parë, duke vendosur në eksponatet e tij, një pjesë nga trashëgimia e zbuluar nga duart e Vangjel Toçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Bukuroshja” dhe amfiteatri antik, dy mrekullitë e Durrësit

Profesor Vangjeli ishte një shkencëtar autodidakt. Por siç shkruan për të shkencëtari francez, Rozhe Lëkot (Roger Lecotte), “gjetjet e tij të mrekullueshme i detyrohen erudicionit dhe instinktit të sigurt, një vetie parashikimi të pikës së zbulimit”. Ky përcaktim është çelësi që shpjegon “pse-në” e zbulimeve të bujshme të Vangjel Toçit. Duke ndjekur me vëmendje shtypin shkencor dhe veçanërisht atë që i kushtohej Durrësit antik, profesori gjurmon mozaikun e mrekullueshëm, që më vonë do të njihej në të gjithë botën shkencore me emrin “Bukuroshja e Durrësit” [shih foton e fiksuar në vitin 1956 kur u bë rizbulimi]. Të dhënat që jepnin arkeologët austriake Prashniker dhe Shober nga gërmimet e tyre në Durrës gjatë Luftës së parë botërore u bënë busulla e zbulimit të vitit 1959, që e ka shënuar përsëri qytetin antik në bibliografitë e arkeologjisë. Vëzhgimet e kujdesshme të zonës dhe të dhënat e Marin Barletit për praninë në Durrës të një amfiteatri të rrënuar i hapën rrugë në vitin 1966 zbulimit më të madh arkeologjik në vendin tonë, amfiteatrit antik, mrekullisë, e cila bashkëjeton me qendrën e re të qytetit me dinjitetin që i dhanë bashkëqytetarët pararendës [shih foton nr. 3 të vitit 1966].

Dashuria për shqipen

Në familjen Toçi edhe 14 vjet pas humbjes së njeriut të dashur, studioja e profesorit ka mbetur siç ka qenë. Mes rafteve me libra dhe shënime të duket sikur të ndjek edhe zëri i tij i butë. Në 20 vitet e fundit të jetës, kjo studio u bë laboratori i tij krijues. Bashkëpuntori i Vjetër Shkencor, i cili në vitin 1970 u nderua me çmimin e Republikës “Për punën e gjatë dhe këmbëngulëse, me vlerë të dalluar shkencore, në lëmin e zbulimeve arkeologjike dhe veçanërisht për amfiteatrin antik të Durrësit” do të niste në këtë dhomë të vogël një tjetër sfidë, veprën “Nga emrat ilirë tek emrat shqiptarë”. Zbuluesi i mbi 300 emrave ilirë, shkruan se “qëllimi me përkushtim i kësaj vepre madhore ka qenë, që me anë të thellimit të studimit në fushën e onomastikës ilire, mbi bazën e punimit të zhvillimit fonetiko-historik, të lidhë ilirishten me shqipen duke nxjerrë në pah ndër të tjera, me anë të emrave ilirë, leksikun e shqipes”. Vetëm për këtë temë, e cila mbeti e papërfunduar për shkak të sëmundjes së autorit, janë shkruar mbi 20 mijë faqe. Dhjetëra artikujve të shkruar në shtypin shkencor shqiptar nga Vangjel Toçi, u janë referuar specialistë të njohur në shkallë botërore, si Carlo de Simone, Russu, Lui Rober, Zaharia Manjani, Dysselier, Gatti, Franke,  Vulpen, etj.

“Pagëzuesi” i 30-40-vjeçarëve

Nuk janë të pakët 30-40-vjeçarët në Durrës dhe në mbarë vendin që nuk e dinë se kanë një lidhje me profesor Vangjelin. Emrat që ata mbajnë janë sugjeruar prej tij me ane të një broshure me emra ilirë, të cilën e kishin thuajse në të gjitha zyrat e gjendjes civile. Genti, Plarenti, Dorina, Dardani, Albani, Platori, e dhjetëra të tjerë mbajnë këta emra të bukur, të zbuluar në shtyllëzat e vogla nga duart e pasionuara të Vangjel Toçit, njeriut  që e deshi Durrësin dhe arkeologjinë.

 

/red. th. m. për agjencinë  lajmeve “Dyrrah”/