TIRANE, 7 tetor 2013 – Që prej ditës së lindjes, 9-vjeçari Nikolin dhe vëllai i tij më i madh Amarildo 12 vjeç, nuk janë larguar asnjëherë nga banesa e tyre në Shqipëri. Ata nuk luajnë jashtë shtëpisë si gjithë fëmijët e tjerë dhe as mund të ndjekin arsimin në shkollë. Djemtë janë të burgosur për shkak të gjakmarrjes ose hakmarrjes, nga fqinjët e tyre, të cilët përbëjnë rrezik për jetën e tyre. Xhaxhai i tyre ka vrarë fqinjin në vitin 1993 për shkak të një konflikti për motive të dobëta. Ndonëse u dënuar me 25 vjet heqje lirie, familja e viktimës, e cila jeton vetëm pak metra larg banesës, u zotua për t’u hakmarrë për vdekjen. Shqiptarët ende respektojë të drejtën zakonore të hakmarrjes, e cila daton në shekullin e 15-të dhe nuk kursen asnjë mashkull në familje, përfshirë këtu edhe foshnjat. Zakoni i vrazhdë është ndjekur gjerësisht në rajonet e varfra malore në veri të vendit, por edhe në disa fshatra dhe qyteza në rajone të tjera.
Nikolini dhe Amarildo kalojnë pjesën më të madhe të ditës në një dhomë të ftohtë dhe të zymtë në shtëpinë e tyre në Mazrek, një fshat rreth 150 kilometër në veri të kryeqytetit Tiranë. Ata janë të rrethuar nga fotografi të të afërmve të vdekur, ndërsa dritarja e vogël e banesës është e mbuluar me kangjella hekuri. Gjakmarrja e hidhur ka çuar tashmë në disa viktima dhe dy të rinjtë të ngatërruar pa fajin tyre, mund të jenë të radhës. “Përjashta, ne përballemi me vdekjen”, pëshpërit Amarildo. Ai thotë se ëndërron të ketë një top dhe të luaj me shokun e tij të vetëm, vëllanë i cili ndan të njëjtin fat. Mamaja e djemve, Vjollca, vrau veten, pasi ishte e paaftë që të përballej me vështirësitë dhe situatën, ku ndodhet kjo familje, duke jetuar si e burgosur. Ajo ishte vetëm 29 vjeçe. “Unë e gjeta të varur në hambar”, thotë Amarildo, teksa i dridhet zëri dhe i pikojnë lotët në faqe. Familja rivale i dha vetëm tre ditë zi për ta varrosur, duke dhënë fjalën se nuk do të kryente asnjë vrasje.
E vetmja lidhje e djemve me botën e jashtme është mësuesja e tyre, Liljana Luani, e cila vjen dy herë në muaj për t’i mësuar që të lexojnë dhe shkruajnë. “Fëmijët e hakmarrjes janë të dënuar me vdekje”, thotë Luani, e cila i ka bërë kërkesë autoriteteve shqiptare që t’i japë fund “krimeve të papranueshme për një vend që aderon integrimin në Evropë”. Statistika Sipas të dhënave të policisë janë në total 225 viktima nga gjakmarrja në Shqipëri në këto 14 vitet e fundit, por sipas shoqatave numri i të vrarëve mund të jetë shumë herë më i lartë. “Në Shqipëri, hakmarrja është zhvilluar në bazë të një sistemi juridik që i shtynte njerëzit të kalonin në vetëgjyqësi”, shpjegon sociologia Suela Dani. Kur xhaxhai i tij u vra, 17-vjeçari Alfred Vekaj u betua për hakmarrje. “Çdo mëngjes gjatë rrugës për në shkollë unë shikoja një burrë nga familja, që më vrau xhaxhanë dhe një ditë unë fsheha armën e gjyshes sime në çantën e shkollës”, thotë ai. “Unë nuk doja ta vrisja, por vetëm të mos e lejoja më që të kalonte në afërsi të shkollës sime”. Por Veskaj humbi shënjestrën e tij duke qëlluar gabimisht një kalimtar. “Të paktën jam endë gjallë”, u shpreh ai nga qelia e burgut në Kavajë, qyteti ku ai është duke ekzekutuar dënimin me 8 vjet burgim.
/News.com, sipas AFP/





