TIRANE ,15 shtator 2013– Një person është plagosur me armë zjarri paraditen e sotme në kryeqytet. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në Rrugën e Elbasanit, pranë Shkollës së Baletit, ku dy persona, tashmë të identifikuar nga policia, kanë qëlluar me armë zjarri ndaj pronarit të një lokali.
Mësohet se i plagosuri është shtetasi Fatjon Dauti, i cili është qëlluar brenda lokalit të tij në Rrugën e Elbasanit, që pritej të hapej këto ditë. Dauti është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak, prej ku mësohet se është në gjendje të rëndë.
Ekspertë të policisë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e krimit. Ndërkohë policia po merr në pyetje edhe dëshmitarët në vendngjarje, për të siguruar të dhëna që mund të ndihmojnë në kapjen e autorëve. Paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt i vjetër i nisur në Angli, ku i plagosuri jetonte prej 15 vjetësh. Sipas policisë, autorët janë larguar me një mjet me targa angleze.
/balkanweb/





