KRUJE,15 shtator 2013 – Krimi brenda familjes trondit sërish. Një 45-vjeçare, nënë e 4 fëmijëve, është ekzekutuar nga bashkëshorti i saj me çifte e automatik. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Derven të Krujës, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:30. Pas krimit, autori 52-vjeçar, Gjin Menga është vetëdorëzuar në polici, ndërsa krejt i ftohtë ka rrëfyer motivin e vrasjes së gruas. Menga ka deklaruar në polici se prej kohësh kishin mosmarrëveshje dhe se bashkëshortja e tij Liljana nuk i bindej. “Ajo donte të ishte e para e shtëpisë. Nuk më dëgjonte asnjëherë dhe madje më fyente në sy të fëmijëve dhe të njerëzve të tjerë. Sot (dje), për bukën u grindëm. S’më shtroi bukën përpara dhe ngriti dorë ndaj meje. E vrava për të vendosur autoritetin si burrë”, – ka deklaruar para bluve të Krujës, 52-vjeçari Gjin Menga. Në familjen e tij ka rënë morti, pasi tashmë 3 fëmijët e çiftit, 2 djemtë 17 e 18 vjeç dhe vajza më e madhe, mbetën pa nënë dhe pa baba. Menga ka deklaruar në polici se njëra prej vajzave të tij ndodhet në burg, pasi në vitin 2009 ka vrarë vjehrrën. 

DESHMIA 
Nuk ka qenë e lehtë për efektivët e policisë së Krujës dhe hetuesit e çështjes të dëgjonin rrëfimin e rrjedhshëm dhe pa vrarje ndërgjegjeje të 52-vjeçarit Menga, i cili është vetëdorëzuar pak minuta pas krimit makabër. “Vetëm nga çiftja kishte frikë gruaja ime”, – ka thënë bashkëshorti vrasës, ndërsa ka pohuar se vrasjen e ka kryer me dy armë zjarri. 

HETUESI: Gjin, pse e vrave bashkëshorten tënde, Liljanën? 
Kam pasur vazhdimisht probleme. Kjo, pasi bashkëshortja ime kishte kohë që nuk më bindej. Ajo kishte dëshirë të drejtonte shtëpinë, për të qenë e para e shtëpisë, për të më drejtuar edhe mua. Por një gjë të tillë nuk e kam pranuar dhe kjo çoi edhe në acarimet tona të vazhdueshme. 

HETUESI: Keni pasur edhe më parë mosmarrëveshje? 
Po, prej kohësh ajo kishte nisur të mos më përfillte si burrë dhe as që më trajtonte si të tillë. Nuk me vendoste ushqimin përpara për të ngrënë bashkë me fëmijët. Madje edhe rrobat e trupit kishte nisur të mos m’i lante. Po kështu, gjatë bisedës me të më ofendonte në sy të fëmijëve dhe njerëzve dhe kjo më bëri që të shpërtheja një ditë. Kam kohë që i kërkoja të bënte kujdes e të mos sillej ashtu, por ishte shumë kokëfortë. 

HETUESI: Po sot, si ndodhi ngjarja? 
U ngrita në mëngjes dhe prisja të haja bukë për të dalë mos gjeja punë. As kur ia kërkova nuk më solli ushqim, por ma priti ashpër e vazhdoi punët. Kjo bëri që situata të nxehej dhe të përplaseshim fizikisht. Ngritja dorë e saj ndaj meje, më bëri të humbas durimin. 

HETUESI: Po më pas, si reagove? 
Më pas, s’po më durohej, vajta brenda dhe mora çiften. Kur mora çiften, ajo m’u lut që ta ulja. Atëherë m’u ngritën edhe më shumë nervat, se vetëm nga çiftja kishte frikë, me fjalë nuk më dëgjonte. E gjithë ngjarja nisi nga dera e shtëpisë deri tek dera e kasolles së bagëtive. Ajo mori rrugën të fshihej në kasolle. Di që e qëllova një herë, më pas mbërriti deri tek kasollja. Atje kisha automatikun, e mora, e godita edhe 2 herë të tjera në bark. Atje vdiq. 

HETUESI: A keni pasur xhelozi në familje? 
Jo, nuk isha xheloz, por sherri niste sa herë që gruaja më kthente fjalën. Nuk mund të bëhesha xheloz aspak, se ne do merrnim nuse, kishim djemtë për të martuar. 

HETUESI: Jeni penduar? 
Sigurisht, pasi kurrë nuk kam dashur të përfundonte kështu familja. Por tashmë më ka zënë ky hall, më dhimbsen fëmijët jashtë mase, por kështu paska qenë shkruar, edhe për mua, edhe për ata.


/Gazeta Shqiptare/