14 shtator 2013- Pas katër muajsh që Çiljeta Xhilaga dorëzoi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës një kallëzim penal për mbylljen e 400 profileve false që ekzistonin në rrjetin social facebook me emrin e saj, identifikohet autori dhe administruesi i këtyre faqeve, duke mbyllur kështu çështjen “Çiljeta”. Specialistët e Sektorit të Krimit Kompjuterik pranë Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës kanë identifikuar këto ditë një djalë 35-vjeçar nga Maqedonia, me emrin Elton Sh., si autorin dhe menaxhuesin e këtyre faqeve për arsye përfitimi, nga numri i klikimeve, shikimeve dhe shpërndarjeve në këto faqe. Pas identifikimit të personit në fjalë, specialistët e këtij sektori kanë realizuar menjëherë mbylljen e 400 profileve dhe fun pageve me emrin Çiljeta Xhilaga, që administroheshin nga ky person, i cili mendohet se mund të jetë dhe fans i këngëtares si fillim, përderisa ka menduar emrrin e saj si më të kërkuarin nga lundruesit e kategorive të ndryshme në internet. 
Më pas, ai ka menduar që ta kthejë në një punë nonstop, atë të menaxhimit të 400 faqeve të saj. Në fillim të muajit maj të këtij viti, Xhilaga me anë të një denoncimi kërkoi mbylljen e këtyre profileve, me pretendimin se në mënyrën se si menaxhoheshin dhe se si qarkullonin fotot në to, dëmtohej rëndë imazhi i saj. Ajo e hodhi këtë hap, e rrallë për këngëtarët shqiptarë deri tani, menjëherë pas lindjes së djalit të saj Fernando, dhe ndryshimit të statusit si nënë. Burime nga Policia e Tiranës kanë sqaruar për gazetën “Panorama” se tashmë është mbyllur çështja e Çiljeta Xhilagës, me hetimin për hakerat e mundshëm dhe administruesin e vetëm të 400 profileve dhe fun page-ve false në facebook. Tashmë, nëse klikon me emrin e këngëtares në faceboook, dalin vetëm tri profile aktive, njëri personal i saj dhe dy të tjerë që mund të jenë hapur nga ndonjë tjetër person, por që nuk keqpërdoren në atë masë, që mund ta dëmtojnë imazhin e këngëtares në publik. 

400 “ÇILJETAT FALSE”, JA SI PREZANTOHEJ KËNGËTARJA NË KËTO PROFILE 

Katër muaj më parë, shqetësimi i këngëtares u ngrit mbi faktin se administruesit e faqeve po abuzonin me jetën e saj dhe të djalit, me komente nga më të ndryshmet dhe të paimagjinueshmet për nga përmbajtja, në shumicën e rasteve komente me pullë të kuqe. Administrimi i faqeve bëhej në dy mënyra; publikimi i fotove dhe lajmeve normale thjesht duke dhënë informacione për këngëtaren, si dhe postimi i fotove dhe statuseve fyese, duke shpërndarë foto të saj dhe të djalit të vogël me komente injoruese. Në kallëzimin e saj penal, këngëtarja ankohej se këto postime të pakontrolluara, përveç e dëmtonin si këngëtare, i shkaktonin stres dhe shqetësim në jetën e saj të përditshme. 
Pasi çështja i kaloi Sektorit për Krime Kompjuterike në Policinë e Tiranë dhe Prokurorisë, u identifikua autori dhe u mbyll çdo llogari në mënyrë të mejëhershme, kërkesa e vetme që Çiljeta kishte bërë për këtë çështje, e mjaftueshme për të që të mund ta konsideronte të mbyllur. Aktualisht këngëtarja administron profilin e saj personal, ku është mjaft aktive me publikimin e të rejave për veten, djalin dhe ndarjen e emocioneve me miqtë. Në profilin e saj ajo poston shumë foto me djalin, duke fiksuar çdo hap të rritjes së tij, një zgjedhje kjo e Çiljetës. Javën e kaluar ajo postoi një foto me muzikantin Ervin Gonxhi dhe djalin Fernando, foto që çoi në aludime mes fansash, se mos ndoshta ai ishte i shoqi. 

/Panorama PLUS/