DURRËS, 14 shtator 2013 – Në qarqet e Tiranës, Durrësit, Lezhës, Shkodrës dhe Fierit u konstatua se tregu i farërave, fidanëve dhe i produkteve për mbrojtjen e bimëve ka karakteristikat e tregjeve konkurrenciale dhe mesatarisht të përqendruara, kurse tregu i plehrave kimike është një treg shumë i përqendruar. Këtë fakt e ke ka bërë të ditur Autoriteti i Konkurrencës gjatë raportimit në parlament.
Antitrusti shqiptar thotë se vëzhgimi që ka ndërmarrë ka pasur për qëllim vlerësimin e akteve ligjore dhe nënligjore, mbi të cilat funksionojnë këto tregje si dhe evidentimin e strukturave te tregjeve dhe konkurrenteve ne tregjet përkatëse. Ky monitorim u iniciua nga shqetësimet e paraqitura në Komisionin Ekonomik mbi këtë treg. Nga vlerësimi i akteve ligjore dhe nënligjore, mbi të cilët funksionojnë tregjet përkatëse, u konstatua se nuk ka kritere specifike përjashtuese apo penguese për hyrjen dhe ushtrimin e aktivitetit të prodhimit, importit apo tregtimit të produkteve përkatëse. Ligjet dhe aktet nënligjore përcaktojnë kritere të forta teknike mbi ruajtjen e cilësisë dhe sigurinë së produkteve si dhe përcakton kompetencat e enteve kontrolluese për sigurime e cilësisë së tyre. Në akte nuk u gjetën elemente të fiksimit të çmimit. Për sa u përket barrierave ekonomike, tregjet e marra në vlerësim, nuk kërkojnë investime te mëdha fillestare dhe kostot e hyrjes dhe daljes nga tregu janë të vogla, duke mos sjellë barriera ekonomike për hyrje dhe dalje nga tregu. Për sa i përket strukturës se tregjeve dhe konkurrenteve në treg u konstatua se tregu i farërave, fidanëve dhe i produkteve për mbrojtjen e bimëve ka karakteristikat e tregjeve konkurrenciale dhe mesatarisht të përqendruara, kurse tregu i plehrave kimike është një treg shumë i përqendruar. Duke i vlerësuar të tre tregjet si tregje të varur nga njeri tjetrit, si dhe përqendrimin e njërit prej tyre, mungesën e kulturës së konkurrencës në sektorin e bujqësisë, sekretariati vazhdoi studimin në këto tregje. Studimi u fokusua te konsumatorët finalë të produkteve të tre tregjeve (fermerëve). Teknika kryesore për vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjeve ishin pyetësorët dhe intervistat, të cilat u plotësuan në bashkëpunim me drejtoritë rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Fier, thotë Autoriteti i Konkurrencës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





