DURRËS, 14 shtator 2014 – Nuk u “ngopën” me ekzekutimin e të birit më 5 qershor 2012 te Shkëmbi i Kavajës, por vrasës, të panjohur ende, i morën jetën edhe së ëmës pas 15 muajsh. Burime nga drejtoria e policisë së shtetit të qarkut bëjnë të ditur se në pasditen e 14 shtatorit 2013, në një garazh në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit është gjetur e vdekur shtetasja Fatmira Habili (më vonë jepet edhe identiteti tjetër, Fatmira / Mira Dedaj) e datëlindjes 1953. Struktura për krimet e rënda në këtë drejtori të policisë së shtetit ka hetuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Bëhet fjalë për një vrasje me mjete të mprehta, teksa ajo po kthehej në shtëpi. E ndjera ishte e ëma e të vetmit fëmijë, Elvis Dedajt, beqar lindur në Kavajë më 22 tetor 1976 e me banim në qytetin bregdetar, i cili është ekzekutuar më 5 qershor 2012, atëherë në moshën 36 vjeç, në një pritë në Shkëmbin e Kavajës. Ai është gjetur i ekzekutuar brenda automjetit tip BMW me ngjyrë gri dhe targa AA 481 CT tenë një rrugë dytësore. Viktima ishte person i shpallur në kërkim nga Interpoli për krime të lidhura me drogën. Ai kërkohej për llogari të Belgjikës, bazuar në një vendim të Gjykatës së Antwerp-it. Mjeti gri, brenda të cilit ndodhej viktima, u gjet i ndezur në anë të rrugës. Viktimës i është zënë pritë nga autorët dhe ai në përpjekje për t’u shpëtuar ka mbyllur dyert e mjetit, por nuk ka mundur t’u shpëtojë plumbave të derdhur mbi të. Mbi viktimën është qëlluar me breshëri plumbash dhe të paktën 6-7 janë konstatuar mbi të. Por për vrasjen e së ëmës pas 15 muajsh uniformat blu, përveç disa pistave, po mundohen të hedhin dritë për lidhje të mundshme dhe me atentatin ndaj të birit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





