TIRANE- Sot rreth orës 09:00 është mbledhur edhe grupi parlamentar i PD-së, ku u diskutua në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë për programin e qeverisë së re.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha u shpreh se PD-ja nuk do bëhet pengesë për integrimin e vendit dhe se do japë konsensusin e saj për cdo reformë që con drejt BE.
"Sot, pas ngulmimit tonë si opozitë për një të drejtë të garantuar nga kushtetuta dhe normat e demokracisë, deputetët e Partisë Demokratike dhe partive parlamentare aleate, do të paraqesin në Kuvend oponencën e fuqishme politike dhe profesionale ndaj broshurës së ricikluar para dy ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, një manifesti turli i eksperimenteve të vjetra të së majtës së vjetër etatiste, asistencialiste dhe anti-reformatore. Duke njohur historinë e bllokimit të statusit të vendit kandidat nga kryesocialisti Rama, Partia Demokratike shpreh kënaqësinë që kryesocialistit dhe të tijve u erdhi në mend tani që erdhën në qeveri për detyrat e integrimit europian. Sëpaku duke gjykuar me çfarë kanë shkruar në manifestin e tyre për këtë çështje. Ndonëse e thëna me të bërën janë shumë larg siç ju kujtoi shqiptarëve edhe para dy ditësh me aktin antieuropian të sulmeve të mbarsura me mllef dhe gjuhë përçarëse nga kryeministri ende i pavotuar e i pabetuar. Edhe njëherë sot ne garantojmë bashkëqytetarët tanë se nuk do të pengojmë dhe bllokojmë për asnjë çast dhe për asnjë arsye aspiratën tonë mbarëpopullore për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Përkundrazi, me trashëgiminë tonë në këtë proçes, me vullnetin tonë dhe me përvojën tonë të madhe pozitive do të jemi promotorë të proçesit në çdo etapë të tij, sikundër e kemi udhëhequr deri më sot. Përsërisim zotimin se do të japim konsensusin tonë për çdo ligj dhe akt që është në përputhje dhe shkon në favor të proçesit të integrimit europian të vendit, sikundër qëndrimin tonë të pandryshueshëm sa i përket kursit euroatlantik të politikës së jashtme, marrëdhënieve të ngushta me partnerët strategjikë me SHBA në krye", tha Basha
Por Kreu i PD, nënvizoi se sot është dita për tu përballur me mashtrimet, sic i quajti ai shtyllat e programit të qeverisë Rama. Sipas Bashës, programi sjell frenim, rënie, papunësi, krize të përmasave të paparashikueshme.
"Ky është një manifest që nuk sheh përpara, por prapa, duke ofruar vizione dhe zgjidhje të konsumuara dhe të dështuara në të gjitha fushat, në goditje të hapur të zgjidhjeve bashkëkohore, në goditje të hapur të nxitësve të nismës së lirë, në goditje të hapur të sistemit fiskal inkurajues për sipërmarrjen e lirë. Si i tillë ky manifest nuk do të prodhojë zhvillim për shqiptarët, përkundrazi. Kështu siç është, ai do të prodhojë vetëm frenim dhe rënie, papunësi më të madhe, varfëri më të madhe, krizë të përmasave të paparashikueshme. Ky manifest dominohet në pjesë të tëra nga premtime dhe zotime të përgjithshme, pa afate, pa shifra, të formuluara si parulla, çfarë nuk është në natyrën e një programi electoral, e lëre më në natyrën e një programi qeverie. Rrumbullakosja kësisoj dhe paraqitja në formë të pamatshme e shumë pikave të manifestit tregon varfëri, papërgjegjshmëri, arbitraritet. Kanë humbur afate dhe shifra edhe për premtime që u dhanë solemnisht në fushatë. Kanë humbur fare, pa nisur akoma qeverisja reale, një pjesë e premtimeve të bujshme. Shqiptarëve që kanë besuar se me ardhjen e kësaj qeverie shërbimi shëndetësor do të jetë falas, u themi sot me keqardhje “ju kanë gënjyer”. Punonjësve të rendit që dëgjuan premtime të bukura në fushatë për dyfishim të rrogave u themi sot me keqardhje të hapin manifestin e qeverisë dhe të shohin se i kanë gënjyer. Të gjithë atyre që morën nga Rama me shokë premtime me lugë të madhe në shkëmbim të votës, u themi sot të hapin manifestin e qeverisë dhe të shohin se luga e madhe e fushatës është zhdukur dhe ka katandisur në rastin më të mirë në lugëz kafeje apo pikatore. Ish të përndjekurit politikë, që u përpoqën të joshen me fjalë e premime të mëdha, nuk do të gjejnë asgjë konkrete, të re jo se jo, në manifestin e qeverisë. Një “asgjë” e madhe, terr i plotë dhe përralla për çeshtjet madhore të infrastrukturës, resurseve të zhvillimit, etj. Tullumbacet e fushatës kanë plasur qysh tani në përpjekjen e mjerueshme të kryeministrit të mandatuar për të dribluar premtimet e veta.Siç është përshembull rasti shumë domethënës i premtimit për hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune. Nga këto, sipas manifestit të ri të qeverisë, 155 mijë, pra më shumë se gjysma, llogaritet të jenë të vetëpunësuarit në fshat, të rinjtë dhe të rejat që zgjohen e ngrysen çdo mbrëmje në shëpitë e tyre në fshat. Me këtë shembull, qeveria e vetëquajtur e rilindjes kandidon të jetë qeveria e thagmave të padëgjuara! Kjo listë është e gjatë", tha Basha.
Ai nënvizoi se, "Ne i kemi paralajmëruar e denoncuar që në fushatë mashtrimet dhe gënjeshtrat elektorale të koalicionit të majtë. Disa i kanë tërhequr apo ridimensionuar që tani. Të tjerat do të dalin pashmangshëm në shesh, në sytë e gjithë shqiptarëve, përgjatë qeverisjes. Të kuptohemi: Vendi nuk ka keq që Rama dhe ekipi i tij tërhiqen nga premtimet e tyre mashtruese, nga mashtrimet elektorale. Vendi nuk ka keq që qeveria të tërhiqet që nesër nga propozimet të vjetëruara dhe të pamundura anti-reformatore. Këtu është në lojë diçka shumë më e madhe. Çështja e madhe e kontratës me zgjedhësit. Kush mashtron, ka dështuar pa nisur. Kush mashtron duhet të përballet menjëherë dhe pa pushim me pasojat. Dhe përballja nis sot".
/BalkanWeb/





