TIRANË, 14 shtator 2013 – Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë shtrihet dhe në fushën e revizionit financiar, më 13 shtator 2013 në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK), njoftoi zyrat e shtypit e KLSH-së. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, KLSH-ja do të angazhohet në realizimin e veprimtarive të ndryshme me SHKÇAK-un, të tilla si trajnime, takime konsultative, tryeza të rrumbullakëta, seminare etj, që synojnë rritjen e cilësisë së punës së stafit të KLSH-së dhe pjesëmarrjen e SHKÇAK-ut nëpërmjet ekspertizës së kualifikuar në trajnimet e ndryshme për auditimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë. Drejtorja ekzekutive e SHKÇAK-ut Ardiana Bunjaku theksoi faktin që marrëveshja e këtij lloji me KLSH-në është e para që lidhet jashtë Republikës së Kosovës. Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do ta ndihmojë KLSH-në të kalojë në një proces të ri, atë të vlerësimit dhe certifikimit të Audituesve, e cila do të vijojë pas miratimit të ndryshimeve në ligjin Nr. 8270 datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, i cili është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në fund të nëntorit të  vitit 2012.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/