Gjykata lëshon urdhër mbrojtjeje për 21-vjeçaren dhe nënën e saj. Vajza nga Vlora kishte marrë mbrojtje edhe nga vëllai.
14 shtator 2013- “Do t’ju vras. Do t’ju pres. Bëhuni gati të shkojmë në Vlorë. Nëse nuk vini, do t’ju djeg shtëpinë. Do t’ju fus plumbin në gojë”. Një studente 21-vjeçare është përballur me këto kërcënime nga babai i saj, që i kërkonte me ngulm të braktiste studimet e larta. Duke pretenduar se nuk kishte mundësi ekonomike për të përballuar jetesën e tyre në Tiranë, A. X. ka ushtruar terror mbi të bijën e tij, F. X. dhe bashkëshorten M. X. , që mbante anën e 21-vjeçares. Për këtë shkak, bashkëshortja është dhunuar edhe fizikisht. Fillimisht, kundër shkollimit të 21-vjeçares në Tiranë ka qenë vëllai i saj, por më pas, këtë qëndrim ka mbajtur dhe babai. Ky i fundi ka jetuar për disa muaj në kryeqytet, bashkë me vajzën dhe të shoqen, por më pas ka ndryshuar mendim dhe u kërkonte të ktheheshin në qytetin e tyre. Për këtë shkak, nënë e bijë i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës ku kanë kërkuar lëshimin e një urdhri mbrojtjeje, kërkesë që është pranuar nga Gjykata.
HISTORIA
Në vendimin e Gjykatës për urdhrin e mbrojtjes zbardhet dëshmia e studentes së dhunuar nga babai i saj. “Pasi fitova të drejtën e studimeve në Tiranë, mendova që të jetoj në Tiranë. Vëllai im ka qenë kundër vazhdimit të shkollës dhe transferimit tim në Tiranë. Ai më dhunonte fizikisht e psikologjikisht për këtë gjë, prandaj kam dhe urdhër mbrojtje ndaj tij. Për të shmangur çdo konflikt të mundshëm, së bashku me nënën dhe babin tim vendosem të jetojmë në Tiranë. Që nga marsi 2013, babai është larguar për në Vlorë ku jetonte me vëllain tim. Të dy së bashku na kërcënonin në telefon që unë të lë shkollën, me pretendimin se nuk ishte në gjendje ekonomike për të më mbajtur në shkollë. Kur kthehej nga Vlora babai, duke qenë nën ndikimin e vëllait tim, ka ushtuar dhunë psikologjike ndaj meje që të lë shkollën dhe të kthehemi në Vlorë, ndërsa ndaj nënës sime ka ushtuar edhe dhunë fizike”, ka rrëfyer 21-vjeçarja. Sipas saj, në ditët e para të korrikut i padituri A.X. ka shkuar në banesën e tyre dhe i ka kërcënuar me jetë, duke i thënë të bëheshin gati të shkonin me të në Vlorë, se ndryshe do t’i vriste, do t’u digjte shtëpinë e do t’u fuste plumbin në gojë. Disa ditë më vonë ai i ka kërcënuar në telefon: “Nëse nuk vini në Vlorë, do t’ju vras, do t’ju zhduk!”.
/PANORAMA/





