TIRANE,14 shtator 2013- Shumë prej punonjësve të administratës aktuale që punojnë në selinë e kryeministrisë rrezikojnë vendin e punës për shkak se kreu i ri i ekzekutivit, Edi Rama do të shkrijë një sërë drejtorish në selinë qeveritare. Artur Metani, me profesion jurist dhe ishkëshilltar i ish-presidentit Alfred Moisiu dhe Bamir Topit do të drejtojë tre drejtori në një të vetme, apo të që është paralajmëruar nga Rama si Byroja Kombëtare e Hetimit.
Drejtoritë që do të shkrihen janë ato të: bashkërendimit të strategjive dhe koordinimit të ndihmës së huaj, që është drejtuar nga Valbona Kuko dhe ka në organikë 7 punonjës. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur se do të shkrihet edhe drejtoria e kontrollit të brendshëm dhe antikorrupsionit, i cili është drejtuar deri para dorëheqjes nga Ivi Kaso dhe 7 inspektorë. Po kështu do të shkrihet edhe drejtoria e legjislacionit dhe koordinimit i drejtuar deri para pak ditësh nga Hasan Metuku dhe 3 juristë.
Z.Metani, i cili do të drejtojë një super-drejtori të vetme, por më të zgjeruar pas shkrirjes së këtyre tre departamenteve, është parë para dy ditësh në selinë qeveritare. Ai është takuar me drejtorin e administratës aktuale të z.Berisha, pikërisht me z.Arben Shkodrani. Burime pranë Metanit thanë për “GSH” se ai është njohur me propozimin konkret të Ramës, por nuk i ka dhënë atij një përgjigje përfundimtare nëse e pranon ose jo “ofertën” e re.
TRANSFERIMI I PUSHTETIT
Gjithashtu bëhet e ditur se në katin e tretë të godinës qeveritare po punohet për rregullimin e zyrave për tre ministrat e rinj pa portofol dhe atë të zëvendëskryeministrit të ri. Burimet sqarojnë se nga stafi i z.Rama është kërkuar që zyrat të jenë me paradhomë për ministrat e rinj dhe ato po bëhen gati për të pritur drejtuesit e rinj. Një prej zyrave që do të lirohet për ministrat është ajo e sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Gjergj Lezhja. Një tjetër zyrë është ajo që ka mbajtur znj.Valbona Kuko si drejtoreshë e departamentit të bashkërendimit të strategjive. Prej ditësh po punohet edhe në katin e dytë, në sallën ku zhvillohen mbledhjet e qeverisë. Të gjitha rregullimet po ndiqen nga Artan Lame dhe Artan Shkeli, ndërkohë që për një hapësirë më të madhe për shkak të numrit të shtuar të ministrave është carë muri i paradhomës së ministrit të inovacionit Genc Pollo. Nga ana e tij kryeministri i dorëhequr Sali Berisha shkon çdo ditë, por me orar të minimizuar, çdo ditë nga dy orë. Stafi i tij politik dhe disa prej drejtorëve kanë dhënë dorëheqjen, ndërkohë që sekretari i përgjithshëm Gjergj Lezhja zhvilloi një takim përmbyllës, kokteil me administratën të cilëve u ka bërë të qartë se janë në pritje të dorëzimit të pushtetit brenda pak ditësh.
/Gazeta Shqiptare/





