TIRANE,13 shtator 2013 – Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson si një vizitë përçarëse, vizitën e kryeministrit Rama në Kosovë. Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha akuzon Ramën për injorimin e rolit të ish-presidentit Rugova, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.
“Në një akt përçarës të paimagjinueshëm z.Rama injoroi tërësisht në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës rolin e Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur. Me këtë qëndrim të pashembullt z.Rama detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit gjatë fjalës së tij dhe lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës por dhe mbare kombin shqiptar.”- shkruan Berisha në “Facebook”.
“Roli dhe vepra e pavdekshme e Presidentit Rugova është unike në tërë historinë tonë kombëtare. Ai me forcën e pathyeshme të besimit tek e drejta e popullit dhe vendit të tij shpalli, nën pushtimin e egër serb, pavarësinë e Kosovës, ngriti pushtetin paralel të shqiptarëve kundër pushtetit të okupatorit, mbrojti çështjen e drejtë të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë e mëdha të Europës. Pas çlirimit të Kosovës nga UÇK, luftëtarët e saj të lirisë dhe NATO, si presidenti i parë i Kosovës së lirë ai udhëhoqi me mençuri dhe vendosmëri vendin drejt Pavarësisë. Nder përjetë veprës së pavdekshme dhe kujtimit të ndritur të Presidentit Rugova!”- vijon Berisha.
Ish-kryeministri thekson se: “një kryeministër i dekretuar nuk mund të bëjë vizita zyrtare, por mendoj se ky rregull nuk ka vlerë në rastin e dy kryeministrave të kombit tonë”.
Berisha: Rama injoroi me fjalën e tij rolin e Presidentit Rugova





