13 shtator 2013-Pesë presidentë shqiptarë nderuan dje figurën e Azem Hajdarit në Pallatin e Kongreseve. Ish-kryetarët e shtetit ndër vite, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu, Bamir Topi dhe ai aktual, Bujar Nishani, ishin prezentë në homazhet e organizuara me rastin e rivarrimit të Hajdarit mes heronjve. Ata morën pjesë veçmas njëri-tjetrit, në orare të ndryshme, por ritualin e realizuan njësoj: kurora me lule pranë arkivolit, takim me familjarët dhe nga një shënim në librin e ngushëllimeve. Megjithatë, bashkimi i të gjithë ish-presidentëve shqiptarë në ceremoni të tilla apo të ngjashme ndodh shumë rrallë. 
Por, duket se Azem Hajdari në rivarrimin e tij pas 15 vitesh si dëshmor i ka bashkuar të gjithë aktorët politikë majtas-djathtas-të qendrës, personazhe të tjera publike, e deri te qytetarët e thjeshtë, të cilët pritën deri në 3 orë në radhë për të nderuar kujtimin e “Heroit të Demokracisë”. Ceremonia ishte parashikuar që të niste në orën 10:00 dhe të përfundonte në 12:00, por gjithçka startoi gjysmë ore përpara dhe përfundoi gjysmë ore me vonesë, për shkak të dyndjes së madhe të vizitorëve. Pas homazheve, ka pasur pak prononcime të politikanëve, ku më kryesori ishte ai i Ilir Metës, kreut të LSI-së, njëherësh kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. 
“Sot është një ditë angazhimi për të ardhmen për të plotësuar dhe ëndrrën e tij që Shqipëria të jetë si e gjithë Europa dhe e gjithë gjeneratës që ai drejtoi për të ndryshuar faqen e Shqipërisë. Azem Hajdari nuk e kurseu guximin, kurajën dhe vizionin e tij duke rrezikuar gjithçka”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh i bindur se “gjithë ne të tjerët do të na duhet të tregojmë më shumë urtësi dhe përgjegjshmëri që ëndrra e tij dhe studentëve të Dhjetorit të bëhet realitet, që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. I paharruar emri i tij! Është emër që kujton jo vetëm ndryshim epokal, por na kujton që këto sakrifica duhet t’i respektojmë dhe t’i çmojmë që ëndrrën e gjeneratës së tij ta përmbushim sa më shpejt”. 
Ndërkaq, mungoi në homazhe kryeministri i sapodekretuar në detyrë, Edi Rama, edhe pse kishte ftesë zyrtare nga Bashkia e Tiranës. Në vend të tij, Rama kishte deleguar zyrtarisht 4 ministra të kabinetit të ri qeveritar. Gjithashtu Rama nuk publikoi ndonjë mesazh në rrjetet sociale, siç edhe vepron zakonisht.
Nishani: Azemi, pjesë e historisë
Presidenti Nishani shkroi ndër të tjera këtë mesazh në librin e shënimeve:
“Azem Hajdari jetoi pak për të qenë pjesë e zhvillimit dhe sukseseve të
Shqipërisë, por mjaftueshëm për t’u kujtuar gjithmonë si pishtar, si
ëndërrimtar dhe idealist i lirisë e demokracisë. Gjesti fisnik i rivarrimit të
eshtrave të tij pranë dëshmorëve të atdheut është ndjenja e lartë e
respektit që vendi i tij i atribuon. Sot, i prehur në vendin e denjë për
dëshmorët dhe heronjtë, ai është pjesë e pavdekësisë dhe historisë shqiptare”. 

“Edhe trim, edhe diplomat, i papërlyer” 
Bamir Topi ishte ndër të parët politikanë që nderoi kujtimin e Azem Hajdarit në Pallatin e Kongreseve. Kryetari i FRD-së, i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të partisë së tij, vendosi një kurorë me lule dhe pas ritualit me këtë rast, tha disa fjalë për figurën e Azem Hajdarit. “Ishte njeri shumë i guximshëm, njeri kurajoz, pa komplekse. Dinte të bënte edhe trimin, edhe diplomatin”, vlerësoi kreu i FRD-së. Ai u shpreh më tej se e kujton Azem Hajdarin gjithnjë me shumë mall, respekt e vlerësim. “Azem Hajdari do jetë në jetë të jetëve si një njeri që mbahet mend si njeri i papërlyer. Respekt për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar”, u shpreh Bamir Topi pas homazheve në nder të Azem Hajdarit.  
Gjithashtu ai la një shënim në librin e ngushëllimeve. 

Presidentët
Sali Berisha
Rexhep Mejdani
Alfred Moisiu
Bamir Topi
Bujar Nishani
PS
Taulant Balla
Pandeli Majko
Vasilika Hysi
Mimi Kodheli
Ilirjan Celibashi
Lindita Nikolla
LSI
Ilir Meta
Edmond Haxhinasto
Luan Rama
Parti të tjera
Spartak Ngjela
Kreshnik Spahiu
Arben Malaj
Vangjel Dule
Vangjel Tavo
Sali Shehu
Nard Ndoka
Fatmir Mediu
Shpëtim Idrizi
Ekrem Spahiu
Sulejman Gjanaj
Dashamir Tahiri
Ambasadorët
Robert Uilton, OSBEë
Aleksandër Arvizu, SHBA
Etore Sekui, BE
PD
Jozefina Topalli
Eduard Selami
Edi Paloka
Genc Ruli
Ridvan Bode
Astrit Patozi
Sokol Olldashi
Selami Xhepa
Kastriot Islami
Asllan Dogjani
Mesila Doda
Albana Vokshi
Majlinda Bregu

http://www.panorama.com.al/2013/09/13/pese-presidente-ne-homazhe-basha-figura-e-azemit-apelon-per-bashkim/