Armand Shkullaku
Partia Demokratike, për inerci apo për strategji, po vazhdon të sillet si një satelit rreth Ilir Metës. Votimi i së martës, kur kreu i LSI mori 91 vota për të drejtuar Kuvendin në katër vitet e ardhshme, shfaqi që ditën e parë një problem serioz për opozitën e re, që nuk lidhet aq me rrjedhjen e votave sesa me mungesën e një strategjie të qartë politike pas humbjes së 23 qershorit.
Ilir Meta me siguri është angazhuar mjaft për të treguar fuqinë e tij nëpërmjet këtij votimi në Kuvend, për të dëshmuar se pesha politike që ai ka, shkon përtej numrit të 16 deputetëve të LSI, se ai kushtëzon socialistët e Ramës, por josh edhe demokratët e Bashës. Vota e të paktën 8 opozitarëve në favor të tij, i shkon më së miri këtij profili që ka ndërtuar Meta. Ai praktikisht është kryetari i një partie, por që ka në duar edhe fijet e dy partive të mëdha. Por nëse Edi Rama, i cili kishte vënë i pari emrin në listën e socialistëve që propozonin Metën për kryetar Kuvendi, është i detyruar që çdo lëvizje ta sinkronizojë me aleatin e tij, për Partinë Demokratike kjo lloj dipendence e nënzëshme ndaj LSI është vështirësisht e kuptueshme. Mund të gjenden shumë interpretime, si për shembull mbajtja nën presion e Ramës duke flirtuar në distancë me Metën, diversioni brenda së majtës apo dhe inercia e një aleance mëkatare në kohën e bashkëqeverisjes. Këto interpretime mund t’i japin një shpjegim, por jo një kuptim sjelljes së tanishme të Partisë Demokratike. Nëse deri para 1 prillit 2013, kur Meta dhe Rama shpallën aleancën mes tyre, qëndrimi i Berishës ndaj LSI justifikohej me nevojën e mbajtjes së pushtetit, strategjia gjatë fushatës elektorale dhe kjo që po vazhdon ende edhe sot po e tregon PD në sytë e publikut, të dobët, të thyeshme, të paaftë për t’u ringritur pa dorën e shtrirë të Ilir Metës.
Ky rreth politik ku PD e ka futur veten, po e zvogëlon atë dhe po e forcon LSI. Fakti që e djathta e konsideron atë heshturazi si një alternativë për t’u rikthyer në pushtet, ia shton së tepërmi aksionet LSI brenda së majtës dhe e shndërron në një “të dashur armik” për opozitën. Vota e 23 qershorit ishte një provë për këtë dhe votimi i dy ditëve më parë, një tjetër konfirmim. PD shfaqi gati një lloj nënshtrimi ndaj LSI gjatë periudhës së qeverisjes së përbashkët, e kurseu gjatë fushatës elektorale kur iu bashkua PS dhe sot, më e pakta, duket e paqartë në qëndrimin e saj politik ndaj Ilir Metës. Ky raport i pazakontë po bën që PD të duket si një parti e vogël, e mbetur me sytë nga LSI, e cila po e shton për rrjedhojë peshën e saj politike. Opozita e re mbeti me 45 vota që në provën e saj të parë në Kuvend dhe nuk është çudi që të ketë patur edhe më pak (ndoshta jo të gjithë socialistët votuan për Metën) apo që në votimet e tjera të katandiset edhe më keq.
Sigurisht që numri i votave nuk është tregues për cilësinë e një opozite dhe në kushtet e një mazhorance të fortë nuk ka shumë rëndësi. Por strategjia e deritanishme ngre pikëpyetje edhe për cilësinë. PD nuk mund të vazhdojë të bëjë opozitë duke patur ndër mend vitet e bashkëqeverisjes me LSI. Ajo kohë ka mbaruar. Opozitës i duhet një kontratë e re me votuesit e saj dhe jo llogari mbi interesa e konjuktura politike. Nëse pushteti ka tendencë të bëjë edhe pazare të pista për të ruajtur pozitat e veta, opozita ka luksin për të dëshmuar të kundërtën, pse jo dhe për të krijuar moral e besim duke bërë diferencën. Në një moment krize besimi tek politika, kur pushteti ndërrohet si një mënyrë për ndëshkim dhe jo si nevojë për ndryshim, ekziston gjithë hapësira për të krijuar një model të ri. Larg interesave të vogla dhe më afër pritshmërive të qytetarëve. Tek ky model do të duhej të investohej lidershipi i ri i PD dhe jo tek luhatjet e aleancës Rama- Meta. Opozita e re duhet të kuptojë shkaqet e humbjes së besimit dhe të kërkojë ta rigjejë atë. Duke u marrë me veten dhe jo duke i ardhur rrotull Ilir Metës. Në të kundërt, tetë votat e së martës do të bëhen shumë më tepër.
/mapo/





