LONDËR-DURRËS, 10 shtator 2013 – Portin e Durrësit nuk do ta thellojë koncensionari gjerman i terminalit lindor, por kompania publike Autoriteti Portual Durrës (APD), sha, zgjidhet kështu dilema e paralajmëruar nga “Dyrrah”-u më 15 korrik 2013. Vetë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim më 3 shtator 2013 ka publikuar njoftimin për “Kredi afatgjatë prej 15 milionë euro për APD-në. Kostoja totale e projektit: E vlerësuar në 20 milionë euro. Projekti do të bashkëfinancohet nga APD-ja. Emërtimi i Projektit: Thellimi i Portit të Durrësit… Publik/Privat: Sektori Publik (pa garanci shtetërore)”. Është tejet simptomatik fakti që është mbajtur heshtje varri nga Qeveria e sapolarguar dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (MPPT) lidhur me koncesionin e terminalit lindor dhe investimet që duhet të kryhen në këtë pjesë të portit sipas formës BOT (Build–operate–transfer: “ndërtim-shfrytëzim-transferim” në pronësi të shtetit).   

“Në vitet e ardhshme EMS-ja do të investojë disa miliona euro në infrastrukturën dhe ndërtimin e Terminalit Lindor, për ta shndërruar në një terminal modern dhe më efecient nga pikëpamja e kostos. Një nga projektet kryesore është ai i thellimit të kanalit të lundrimit 11 metra për të përpunuar kështu anije me tonazh deri në 55 mijë tonë”, ka deklaruar Manfred Myler (Müller), administrator i EMS-së (EMS Shipping & Trading GmbH, Leer), njoftoi zyra e shtypit e kësaj kompanie të transportit detar më 14 maj 2013. Por më vonë gjermanët e dredhin: “Z. Myler tha se ai është i bindur që autoritetet shqiptare do të fillojnë së shpejti punimet e nevojshme paraprake për tenderin e gërmimit: “Politikanë dhe zyrtarë të lartë të administratës e kanë bërë shumë të qartë se janë të gatshëm shfrytëzojnë këtë shans që do t’i sjellë përfitime të mëdha Shqipërisë”, ka deklaruar më 15 korrik 2013 për portalin World Maritime News. Në fshehtësi po bëheshin përpjekje për sigurimin e kredisë 15 milionë euro nga BERZH-i plus 5 milionë euro nga APD-ja për thellimin e portit. Natyrisht, ende nuk është vendosur nga BERZH-i, pasi më 12 Nëntor 2013 do të mblidhet bordi. Ndoshta, BERZH-i pret dhe qëndrimin e qeverisë së re, që ka premtuar kontrollin e çdo koncesioni. Ky për terminalin lindor ka probleme për investimet që duhet t’i bëjë pala gjermane, pasi koncesioni, siç u tha më sipër, është i formës BOT (ndërtim-shfrytëzim-transferim” në pronësi të shtetit). Dokumenti që po botojmë më poshtë, është marrë nga sajti i BERZH-it, që dëshmon për ujdinë e fshehtë të Berishës dhe Olldashit me koncensionarin gjerman (shih faksimilen e faqes së parë të dokumentit të BERZH-it).

Dokumenti i BERZH-it

Emërtimi i Projektit: Thellimi i Portit të Durrësit. Vendi: Shqipëri. Numri i projektit: 44506. Sektori i biznesit: Transport. Publik/Privat: Sektori Publik (pa garanci shtetërore). Data e parashikuar e Bordit: 12 nëntor 2013. Statusi: Ka kaluar fazën e parë të shqyrtimit.Përshkrimi i projektit dhe objektivat: Projekti i propozuar do të financojë thellimin e kanalit hyrës dhe basenin portual në Portin e Durrësit në Shqipëri për të lejuar anijet me draft rreth 10.5 m të hyjnë në port, të barabarta me anije të tonazhit 30,000 DWT për ngarkesa ose 1,700 TEU për kontejnerë. Porti i Durrësit është porti më i madh në vend dhe ndodhet 42 km nga kryeqyteti Tiranë, ngjitur me qytetin e Durrësit, në pjesën veriore të Gjirit të Durrësit. Porti është nyjë kryesore e Korridorit Pan-Europian VIII, korridor transporti nga portet italiane të Barit dhe Brindizit në Durrës, nëpërmjet Shqipërisë, ish-RJ Maqedonisë dhe Bullgarisë, në portet e Detit të Zi.

Ndikimi i tranzicionit: Projekti do të ketë ndikim të rëndësishëm demonstrimi si huaja e parë për një kompani shtetërore e dhënë pa garanci shtetërore ne sektorin e transportit. Ndikim i mëtejshëm tranzicioni do të përfitohet nga zbatimi i teknologjive të efeciencës së energjisë, përmirësimi i standardeve mjedisore dhe përdorimi i koncesioneve, ndërsa porti kthehet në model të portit pronar. Klienti: Klienti është Autoriteti i Portit të Durrësit Sha (APD), kompani 100 për qind shtetërore përgjegjëse për menaxhimin e Portit të Durrësit. APD-ja administrohet nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit të Shqipërisë (MPPT) por drejtohet mbi baza tregtare me menaxhim të pavarur. Financimi i BERZH: Kredi afatgjatë prej 15 milionë euro për APD-në. Kostoja totale e projektit: E vlerësuar në 20 milionë euro. Projekti do të bashkëfinancohet nga APD-ja.

Ndikimi në mjedis: Projekti i propozuar është i kategorisë B sipas Politikës Mjedisore dhe Sociale të BERZH-it të vitit 2008, meqenëse ndikimet e mundshme pritet të jenë specifike për zonën e projektit dhe lehtësisht të identifikueshme dhe të trajtuara nëpërmjet masave lehtësuese. Analiza mjedisore dhe sociale e projektit përfshin një palë të tretë të pavarur auditimi mjedisor dhe social për vlerësimin e kapaciteteve drejtuese të Klientit dhe sistemet e tij për zgjidhjen e çështjeve mjedisore, shëndetësore, të sigurisë dhe punës gjatë veprimtarisë së tij si dhe një analize të ndikimeve të mundshme (të ardhshme) mjedisore dhe sociale dhe të përfitimeve. Analiza do të vlerësojë gjithashtu aftësinë e Klientit për të zbatuar projektin në përputhje me Kërkesat e Performancës së Bankës. Do të përgatitet një Plan Veprimi Mjedisor dhe Social (PVMS) për projektin. Do të përgatitet gjithashtu edhe një Plan Veprimi për Palët e Interesuara që do të përfshijë një mekanizëm ankimimi dhe informacion mbi performancën mjedisore dhe sociale. Një përmbledhje e Planit të Veprimit të miratuar do t’u dorëzohet palëve të interesuara. Ky Dokument Përmbledhës i Projektit (DPP) do të përditësohet kur të njihen rezultatet e analizës.Bashkëpunimi teknik: 200,000 euro për të mbështetur APD-në për marrjen e certifikimit mjedisor dhe kryerjen e një auditi për përdorimin me efeciencë të energjisë”.

Shënim i “Dyrrah”-ut : Ky është shkrimi i katërt që botohet për terminalin lindor (shih më hollësisht: durreslajm.com/speciale/durres-kush-do-ta-thelloje-portin-gjermanet-apo-shteti-shqiptardurreslajm.com/speciale/skandal-terminali-lindor-pasi-mbyllet-kontrata-del-njoftim-per-tenderdurreslajm.com/ekonomia/durres-achtung-gjermane-ne-terminalin-lindor-te-portit-per-35-vjet).    

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/