MARK MARKU
E vetmja gjë e mirë e Kodit të ri të Etikës së nënshkruar nga ministrat e qeverisë së re të zotit Rama është konsumuar tashmë (ose është në konsumim e sipër): Sali Berisha, zëri i të cilit ka ushtuar pa pushim për 23 vjet rresht në veshët e publikut të tromaksur shqiptar, ka lajmëruar fillimin e një greve heshtje 24-orëshe, në shenjë proteste ndaj një klauzole të këtij Kodi Etik që vendos rregulla dhe kufizime shumë të forta komunikimi për ministrat e rinj. Jashtë kësaj të mire Kodi i ri i komunikimit të qeverisë nuk sjell gjë të tjetër pozitive. Dhe, me siguri, pasi shqiptarët ta kenë shijuar heshtjen e shumëpritur të zotit Berisha, do fillojnë të shqetësohen për pasojat negative të tij. Dhe këto pasoja nuk duket se do të jenë të pakta, nëse ky Kod Etike qeverisjeje e ka vërtet atë klauzolë të publikuar nga gazeta “Panorama” dy ditë më parë dhe të papërgënjeshtruar ende nga qeveria, sipas së cilës “Çdo deklaratë apo komunikim me mediat, para publikimit do të kalojë më parë nga Drejtoria e Komunikimit, që do të ndodhet pranë Kryeministrit Rama”.
Ky akt është tregues jo vetëm për stilin e komunikimit të Kryeministrit të ri dhe marrëdhëniet që do të ketë ai me mediat, por edhe për modelin e ri qeverisës. Duket se zoti Rama e konsideron qeverinë si një bashki të madhe dhe ministrat si drejtorë të zyrave bashkiake. Është ende herët për të arritur në përfundime për marrëdhëniet që do të ketë ai me ministrat, por, nëse e përqendron komunikimin e tyre politik në zyrën e komunikimit të tij në Kryeministri, ka shumë gjasa që të njëjtën gjë ta bëjë edhe me pushtetin e tyre. Siç ka ndodhur rëndom në jetën politike shqiptare, do të kemi një kryeministër të fortë, me pushtet të pakufizuar dhe disa ministra figurina që sillen rreth tij pa pasur kurrfarë pushteti, e normalisht edhe kurrfarë përgjegjësie. Përqendrimi i komunikimit të ministrive në Kryeministri është shenja e parë e këtij përqendrimi. Sipas të gjitha praktikave të qeverisjes demokratike perëndimore, çdo ministri apo agjenci qeveritare ka zyrën e vet të marrëdhënieve me publikun, ka zyrën e vet të shtypit, ka zëdhënësin e vet dhe janë pikërisht këto zyra që marrin përsipër organizimin e komunikimit me publikun e me mediat, si edhe të komunikimit të brendshëm ndërinstitucional. Nuk ka kurrfarë arsye por edhe mundësi që një zyrë në Kryeministri t’i zëvendësojë të gjitha këto zyra. Një gjë e tillë ndodhte vetëm në regjimin komunist me Drejtorinë e Propagandës së Komitetit Qendror të PPSH-së.
Vendosja e ministrave në një karantinë të tillë komunikimi është, përveç të tjerash, edhe një shenjë mosbesimi ndaj ministrave që po ai vetë i ka zgjedhur. Nuk ka kuptim që një ministri t’i besosh fatet e Mbrojtjes, Rendit, Shëndetësisë Arsimit dhe të mos i besosh komunikimin e vetvetes. Me sa dihet, Rama ka pasur rolin kryesor në zgjedhjen e këtij kabineti, kështu që nuk kuptohet pse ai ka aq pak besim te të preferuarit e tij.
Një gjest i tillë është shqetësues edhe duke pasur parasysh përvojën qeverisëse të paraardhësit të tij Berisha. Nëse ka pasur një gjë që nuk ka funksionuar në qeverisjen e Berishës, ka qenë pikërisht marrëdhënia e tij më personazhet që vetë i zgjidhte si bashkëpunëtorë. Dihet tashmë se si e përqendronte pushtetin te vetja, se si ua shkatërronte pushtetin bashkëpunëtorëve të tij duke krijuar lidhje të shkurtra me vartësit e tyre, se si i shndërroi pjesën më të madhe të ministrave dhe deputetëve në përsëritës ordinerë sharjesh dhe llomotitjesh pa fund, se si ai e atrofizoi dhe zhduku çdo shkëndijë mendimi alternativ brenda formacionit të tij politik dhe qeverisë së tij. Kjo përvojë është e mjaftueshme për të kuptuar se një lider i zoti nuk e shpreh aftësinë duke e përqendruar pushtetin, por duke e shpërndarë atë. Përqendrimi i pushtetit të bën diktator të suksesshëm, por jo lider demokratik të suksesshëm.
Një klauzolë e tillë do të krijojë me domosdo probleme për lirinë e mediave dhe për transparencën e qeverisjes. Është paradoks ajo që deklaron zoti Rama për transparencën e qeverisjes, pasi nuk mundet që nga njëra anë të bllokosh dhënien e informacionit nga ana e agjencive shtetërore dhe, nga ana tjetër, të rrisësh transparencën e kësaj qeverisjeje para qytetarëve. Mediat, me siguri do të gjejnë te kjo klauzolë një pengesë të rëndësishme për marrjen e informacionit: t’u bllokosh atyre burimet, do të thotë t’ua minimizosh profesionalizmin dhe efikasitetin.
/panorama/





