TIRANE,10 shtator 2013– Përveç mbështetjes së mazhorancës, kryetarit të LSI-së Ilir Meta iu besua drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë edhe nga 8 deputetë të opozitës. Në votimin e fshehtë që u zhvillua në Kuvend, kandidatura e Metës mori 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim. Ajo që ra në sy në listën e deputetëve që propozuan kandidaturën e Metës për këtë post ishte fakti se kjo listë kryesohej nga kryeministri i sapodekretuar Edi Rama. 

Në fillim të seancës së Kuvendit, komisioni i verifikimit të mandateve bëri të ditur se nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve të 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pas leximit të konkluzioneve të raportit nga Armando Subashi, deputetët bënë betimin njëri pas tjetrit. Sipas rregullores parlamentare, drejtuesi i seancës, Namik Dokle, lexoi tekstin e betimit dhe secili nga ligjvënësit u ngrit në këmbë duke thënë "Betohem". 

Në fjalën e tij,  Meta deklaroi se: "Jemi këtu me shkresë dhe porosi të shqiptarëve. Ky Kuvend duhet të përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve". Për të, reformat kryesore mbeten punësimi, integrimi, etj.“Në 23 qershor, shqiptarët votuan me një shpresë të madhe, që ne jemi zgjedhur ta përmbushim këtu në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo shpresë është shprehje e besimit që ata kanë treguar ndaj nesh dhe ky Kuvend, duhet të përfaqësojë atë që populli zgjodhi”, tha Meta. Sipas tij, deputetët dhe vetë ai, do të kenë si përparësi respektimin e ligjit dhe një vizion të ri për punët e Kuvendit.“Gjatë këtij mandati, ky Kuvend do të çojë përpara axhendën evropiane, reformat që do tu sjellin shqiptarëve vende të reja pune, reforma që do të sjellë mirëqenie për çdo qytetar të vendit. Thirrja ime e parë është lënia pas e konflikteve. Ne duhet të japim llogari çdo ditë për ligjet që do miratojmë dhe për mënyrën se si do i zbatojmë këto ligje”.Në fund të fjalimit si kryetari i ri i Parlamentit, Ilir Meta thirri Parlamentin të vijojë seancën e radhues ditën e mërkurë me qëllim caktimin e rendit të ditës. “Të mblidhet nesër një seancë e re dhe paraprakisht mbledhje kryetarët e grupeve parlamentarë për të vijuar procedurën sesi do të vijohet me punimet e parlamentit sepse kemi bërë pushime më shumë se nevojiteshin dhe kjo jo për fajin tonë”.