TIRANE – Qeveria e re të jetë transparente dhe të punojë për të rritur ekonominë e vendit, ndërsa parlamenti të ngrihet në lartësinë që i takon dhe të mos merret me sulme personale”. Kjo është këshilla që jep Dritëro Agolli, i njohur si patriarku i Partisë Socialiste. Në një intervistë për “Vizion Plus”, Agolli tha dje se Rama dhe kabineti i tij, duhet të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e vendit. Ai e përshkruan me një batutë bashkëpunimin Rama–Meta, duke thënë se edhe burrë e grua ndahen e bashkohen prapë, dhe kur bashkohen për herë të dytë, nuk ndahen më.
Zoti Dritëro, cili është mesazhi që jepni ju për të gjithë deputetët e rinj?
Unë nuk kufizohem vetëm me mazhorancën e re, por edhe me pakicën. Edhe atyre, njëlloj si mazhorancës, u uroj punë të mbarë. Por, jo çdo punë është e mbarë, e mirë, se punë bën edhe merimanga, por nuk është si bleta. Edhe këtyre unë u uroj një punë si të bletës, jo si të merimangës. Diskutime për ngritjen e mirëqenies së njerëzve që të ketë sa më pak varfëri, se varfëria nuk zhduket krejtësisht, por ajo pakësohet deri ku mund ta pakësosh dhe këto probleme duhen trajtuar, në Parlament, reforma në industri, në bujqësi, në miniera.
Pas 8 vitesh, e majta shqiptare, PS dhe LSI bashkohen. Cila do të ishte këshilla dhe si e shihni ju këtë bashkëqeverisje të dy forcave të majta?
Populli ynë të thotë “kemi zgjedhur djem të rinj, të zotë”, por të thotë edhe Evropa, “more këta shqiptarët janë shumë të zgjuar dhe kanë qenë të zgjuar, por ndonjëherë lajthisin. Por këtë herë nuk po lajthisin. Dhe hajde t’i futim në Bashkimin Evropian, meqenëse nuk po lajthisin”.
Çfarë këshille do t’i jepnit qeverisë së re? Çfarë gabimi nuk duhet të bëjë Edi Rama?
Qeveria del në televizor kur ka një punë, jo çdo ditë. Ç’do të thuash?! Po ato gjëra?! Do t’i kujtosh popullit se “unë jam në qeveri”. Të thotë të vërtetën gjithnjë. Të mos mbulojë gabimet dhe dobësitë. Statistikat të jenë të qarta dhe të mos bëhen shesh me lule. Të dimë sa vriten, sa korruptojnë, sa dobësi kemi, ç’kemi ndërtuar dhe ç’na mbetet për të ndërtuar, si janë bërë rrugët. Domethënë t’i thotë vetë qeveria, jo t’ia thonë të tjerët. Atëherë është qeveri e vërtetë!
Ajo çfarë ka bërë përshtypje tek kabineti qeveritar janë emrat e ministrave. Janë të gjithë thuajse emra të rinj në PS. Nuk po shohim atë Gardën e vjetër të PS-së. Si e keni parë këtë qeveri dhe a kishte vend për të bërë një ndërthurje mes të vjetërve dhe të rinjve?
Mendoj që mund të ishte llogaritur më mirë, që të kishte pak më shumë nga këta që kanë një eksperiencë më të madhe, por kanë menduar që të mos përsëriten ato gabime që ka bërë një i vjetër. Të provojmë një herë me elementë të rinj, për të mësuar, për të mos pasur mbi supet e tyre pluhurin e dikurshëm të paraardhësve të tyre.
Si e shikoni bashkëpunimin Rama-Meta?
Ma merr mendja se është përfundimtare, domethënë për bashkëpunimin. Për bashkim që të jetë një parti nuk e di, por bashkëpunim do të ketë gjithnjë, sepse njerëzit, kur ndahen një herë dhe pajtohen, e kanë të vështirë të ndahen përsëri. Edhe burrë e grua të jesh, ndahesh ndonjëherë, por edhe pajtohesh, por edhe përsëri kthehet burri ose gruaja dhe për të dytën herë është e vështirë që të ndahesh.
Në rast se do bënit një krahasim, si do ta shikonit parlamentarizmin e asaj kohe me parlamentarizmin e sotëm?
Atëherë ishte një sjellje tjetër, një sjellje e matur shumë. Nuk ofendonim, nuk fyenim njëri-tjetrin. Vetëm thonim ndonjë kritikë, por edhe atë e thonim me takt. Ka shumë që s’janë deputetë që janë më të zgjuar, dhjetëfishin më të zgjuar. Kështu që ta marrin fjalën nga goja, pa nxjerrë zërin, vetëm me lëvizjen e buzëve të kuptojnë çfarë thua. Ka njerëz të tillë. Por ata nuk zgjidhen. Një monedhë floriri që mbulohet me pluhur, duhet të fryjë një erë që të zbulohet. Kur fryn era, del dhe themi “këtu qenka floriri dhe s’e kam parë”.
/Gazeta Shqiptare/
Agolli: Mazhorancës edhe opozitës i uroj punë të mbarë si e bletës.
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Homazhe për Ismet Bellovën, komentatori sportiv përcillet për në banesën e fundit
Deputeti i PD, Igli Cara thirrje qytetarëve: Pjesëmarrja në protestë, domosdoshmëri!
Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ja rrugët ku kufizohet qarkullimi
Qentë endacakë kafshojnë të miturin në Durrës





