Automjeti i  Avokatit të Popullit Igli Totozani dhe automjeti i një prej anëtareve të kabinetit të tij janë sulmuar këtë fundjavë gjatë natës – bën me dije komisariati numër 2 në Tiranë.

Burime nga ky komisariat thanë sot se automjeti i z.Totozani dhe automjeti i këshilltares për media dhe zëdhënëses së institucionit Elona Demollari janë gjendur në mëngjes të thyer në pjesën e përparme dhe të hapur me mjete të dhunshme.

Policia tha se nuk është rast vjedhje pasi në brendësi të  automjeteve nuk është prekur asgjë. Mbetet interesante se rrethanat e dy sulmeve dhe mënyrat si janë dëmtuar automjetet janë thuajse identike megjithëse kanë ndodhur në zona të ndryshme të Tiranës ; sulmi ndaj Totozanit poshtë shtëpisë së tij në rrugën Komuna e Parisit në Tiranë, sulmi ndaj Demollarit në zonën pranë unazës së re në periferi të Tiranës.Në automjetin e Totozanit vec xhamave të thyer  janë konstatuar edhe dëmtime në pjesën e timonit, pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje ende të paqartësuara në këtë pjesë të mjetit.Komisariati 2 i Tiranës, bën me dije që janë marrë denoncimet përkatëse dhe po punohet me të dhënat e para hetimore.  Institucioni i Avokatit të Popullit është përfshirë kohët e fundit në disa cështje me sensibilitet të theksuar social ku preken edhe interesa private.

(Ne foto, Totozani duke komunikuar me nje grup qytetaresh te komunitetit rom te debuar nga banesat e tyre dhe Demollari me perfaqesuesen e LGBT, Xheni Karaj gjate nje konference te perbashket per shtyp)

/gazeta dita/.