TIRANE,9 shtator 2013 – Vizita në Bruksel dhe takimi me liderët e BE-së do të jetë ndër vizitat e para që Kryeministri i zgjedhur Edi Rama do të zhvillojë jashtë vendit, menjëherë pas marrjes së detyrës. Për Ambasadorin e BE-së Ettore Sequi, kjo vizitë konsiderohet si prova që vërteton rëndësinë e madhe që qeveria e re i jep procesit të integrimit evropian të vendit.
Gjatë një takimi të zhvilluar sot në selinë e PS-së, Rama siguroi ambasadorin e BE-së se mazhoranca e re do të jetë e angazhuar “për të kapur trenin e Europës”. Në përfundim të takimit, Rama dhe Sequi dhanë një deklaratë të shkurtër për mediat, ku ambasadori i BE-së shprehu besim se Shqipëria do të ecë përpara në drejtim të integrimit.
“Kjo ditë filloi me mikun tonë të shtrenjtë, Ambasadorin Sequi, për të diskutuar detajet e vizitës sonë të menjëhershme në Bruksel, ku praktikisht do takojmë të gjithë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve europiane dhe ku pa asnjë dyshim do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit europian, në funksion të një Shqipërie që duhet të jetë anëtare e denjë e Bashkimi Europian. Por, edhe njëkohësisht një vend europian, këtu në atdheun tonë, me ligjet e duhura, me institucionet e duhura, me shërbimet e duhura dhe me mundësitë e duhura për çdo vajzë e djalë, për çdo burrë dhe grua, për çdo shqiptar dhe shqiptare që të ndjehen zot në vendin e tyre. Është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë dhe për të hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit europian, ku ne dëshirojmë të përfshijmë të gjithë shoqërinë. Për të cilin, ne jemi të angazhuar të ndërtojmë një proces të brendshëm në institucionet e shtetit, duke filluar nga ministritë. Detajet do t’i shpjegoj më tutje së bashku me kolegët ministra, por në kohën e duhur." -deklaroi Rama.
Nga ana e tij, ambasadori Sequi e cilësoi si mjaft të frytshëm takimin me Ramën, duke theksuar se BE është e vendosur për të ndihmuar Shqipërinë që të jetë pjesë e unionit.
“Patëm një takim të frytshëm. Unë pata mundësinë që t’i prezantoja Kryeministrit të zgjedhur të gjitha ato takime që do të bëhen gjatë vizitës së ardhshme në Bruksel me të gjithë shefat e institucioneve europiane, zotin Barroso, zotin Van Rompuy, Zonjës Ashton, sigurisht edhe zotin Martin Schulz e Komisionerin Fule. Kjo është një vizitë vërtet tejet e rëndësishme. Ne jemi vërtet shumë të kënaqur dhe shumë të lumtur, që kjo është nga vizitat e para që zoti Rama do të bëjë jashtë Shqipërie. Kjo është edhe prova që vërteton rëndësinë e madhe që i jep qeveria e re procesit të rëndësishëm të integrimit të vendit. Zoti Rama më foli, pikërisht, për mendimet e tij në këtë drejtim. Po ashtu, ai u shpreh fare qartë edhe për vendosmërinë dhe për angazhimin e kësaj qeverie për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Unë i shpreha atij, pikërisht, mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Europian dhe të Bashkimit Europian në rrugëtimin progresiv të Shqipërisë drejt BE. Ne kemi besim që me këtë angazhim dhe përkushtim do të kemi mundësi që të ecet përpara në rrugën e duhur. Jemi tërësisht të vendosur të luajmë një rol për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim. Unë mendoj që dita e sotme është një ditë tejet e rëndësishme. Parlamenti i ri do të ketë seancën e vet të parë plenare dhe shumë shpejt do të kemi një qeveri të re e cila do të fillojë punën. Unë besoj, ne besojmë dhe në fakt e diskutuam këtë, se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është i rëndësishëm dhe është prioritet për qeverinë, është një prioritet kombëtar, sepse i shërben interesave të popullit shqiptar, të qytetarëve shqiptarë të cilët meritojnë, pikërisht, ato të mira që vijnë nga integrimi europian.”- deklaroi ambasadori Sequi.
/BalkanWeb/
Rama: Të kapim trenin e Europës një orë e më parë, Sequi: Kemi besim
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Homazhe për Ismet Bellovën, komentatori sportiv përcillet për në banesën e fundit
Deputeti i PD, Igli Cara thirrje qytetarëve: Pjesëmarrja në protestë, domosdoshmëri!
Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ja rrugët ku kufizohet qarkullimi
Qentë endacakë kafshojnë të miturin në Durrës





