* Por nderuan qytetin bregdetar dhe zunë vendin e parë Inelda Çaushaj (piano) dhe Amarildo Reçi (pikturë)

TIRANË, 7 shtator 2013 – Sa pak durrsakë, vetëm 20 veta, shprehën dëshirën të bëhen artistë, por mund të ngushëllohemi me faktin se për vitin akademik 2013-2014, në Universitetin e Arteve, në muzikë dhe arte të bukura, janë dy që nderuan qytetin bregdetar dhe që zunë vendin e parë: Inelda Çaushaj (piano) dhe Amarildo Reçi (pikturë). Po ashtu pati të renditur dhe në vendet e dyta e të treta. Rektorati i Universitetit publik të Arteve ka shpallur pikët e konkurseve për programet e studimit të ciklit të parë bachelor për vitin akademik 2013-2014, për fakultetet e Muzikës, Artit Skenik dhe Arteve të Bukura. “Dyrrah”-u bëri një hulumtim në listat dhe vërejti se në konkurse hynë 20 të rinj nga Durrësi, që ka dhe një nga shkollat e mesme artistike më të vjetra në vend. E çuditshme, por mes 19 konkurrentëve për violinë, 5 konkurrentëve për violë, vegla fryme, fizarmonikë, dirigjim, koreografi, regji etj. nuk pati asnjë konkurrues.

MUZIKA

Mes 15 konkurrentëve për piano, kanë qemë dhe dy durrsake. Inelda Vilson Çaushaj zuri vendin e parë me 202.5 pikë dhe Anxhela Sokrat Gjergji me 186 pikë në vendin e katërt. Për kompozicion kanë konkurruar 8 veta, mes të cilëve dy durrsakë, nga të cilët Enrik Astrit Shehu me 149.3 pikë radhitet i pesti, kurse tjetri, me 81 pikë, në vendin e shtatë. Kurse mes 4 konkurrentëve për violonçel ishte një nga Durrësi, që zuri vendin e fundit me 16,5 pikë nga 158 pikë që mori një elbasanas në vendin e parë. Mes 8 konkurrentëve për kitarë, i vetmi durrsak, Ergys Tauland Turku me 195.5 pikë zuri vendin e tretë. Mes 9 konkurrentëve për flaut, e vetmja garuese, një durrsake zuri vendin e parafundit me 36,5 pikë, teksa vendi i parë i takoi një tiranase me 217,5 pikë. Në oboe konkurruan 5 veta, ku durrsaku Shaban Dritan Lufta u rendit i dyti me 192 pikë. Në klarinetë morën pjesë në garë 11 veta, ku durrsaku Geraldo Vesel Sallaku, me 181.5 pikët u rendit i katërti, ndërkaq një tjetër durrsak zuri vendin e parafundit me 43 pikë. Në kanto, mes 18 konkurrentëve, durrsakja Fatma Enver Mema, me 219.5 pikë, u rendit e dyta pas vajzës së njërit prej dy vëllezërve të famshëm korçarë, Maria Stefi Prifti me 231.5 pikë.

ARTI SKENIK

Për aktrim konkurruan 37 veta nga gjithë vendi dhe vetëm dy nga Durrësi. Erjon Saimir Hodo me 205 pikë doli i treti. Tërheq vëmendjen se djali i aktorit të skenës dhe ekranit Fadil Kujofsa, Erini, doli në vendin e gjashtë me 133.3 pikë. Kurse durrsaku tjetër doli nga fundi, pasi grumbulloi vetëm 39,6 pikë. Keq u paraqit për skenografi-kostumografi, ku mes 10 vetave, një durrsake e vetmja konkurrente mori 70 pikë, duke zënë vendin e shtatë, teksa vendi i parë i fituar nga një tiranase pati 184.6 pikë. Asnjë durrsak nuk u paraqit në tri degët e tjera (regji skenike, regji filmi dhe televizioni dhe koreografi).

ARTET E BUKURA

Në Fakultetin e Arteve të Bukura, në dy degë, morën pjesë 86 konkurrues gjithsej nga gjithë vendi, ku numri i durrsakëve arrin në 7 veta. Në pikturë konkurruan 69 veta dhe nga Durrësi ishin 4 garues. Bie në sy një amplitudë interesante: nëse Amarildo Ibrahim Reçi, bashkë me një shkodran dhe një vlonjat morën nga 240 pikë, të tre në vend të parë, një durrsak tjetër mori vetëm… zero pikë. Kurse Fatjon Abidin Alla me 150 pikë dhe Jonida Nush Gjinaj 125 pikë radhiten në vendet e mesit. Për skulpturë u listuan 17 veta, ku tre durrsakë, Erald Xhafer Paci me 210 pikë zuri vendin e tretë; Osman Adem Zamani me 188 pikë në vendin e pestë dhe Marçela Adrian Llana me 140 pikë në vendin e nëntë.

Info

Universiteti i Arteve është institucion publik i arsimit të lartë me karakter artistik në Shqipëri, që ofron diplomë universitare në muzikë, arte të bukura dhe art skenik. I themeluar, para 45 vjetësh, më 1966, Instituti i Lartë i Arteve bashkoi tre institucione artistike: Konservatorin Shtetëror të Tiranës, Shkollën e Arteve të Bukura, dhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”. Më 1990, me ndryshimet në sistemin arsimor, Instituti i Lartë i Arteve u ngrit në nivel universiteti dhe u emërua Akademia e Arteve. Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 234, datë 23.03.2011, u krijua Universiteti i Arteve mbi bazën e Akademisë së Arteve, duke ruajtur të pandryshuar strukturën e Fakulteteve. Universiteti i Arteve ka tre fakultete: të Muzikës, Arteve të Bukura, Artit Skenik.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/