SAMI NEZA



  Është e qartë se konferenca dyditore e qeverisë së re nuk ka realizuar pritshmëritë e saj dhe ishte e papërgatitur. Ekspertët e huaj që ishin ftuar kishin pak njohje rreth problematikave të Shqipërisë, por edhe në rastet kur i njihnin ato, nuk kishin shumë për të thënë. Dita e parë e saj ishte në një nivel për të ardhur keq, qesharake dhe shpeshherë me mungesë të madhe serioziteti nga folësit. Do kishte qenë një konferencë shumë serioze nëse qeveria e re do ta bënte një aktivitet të tillë me kapacitete vendase që njohin problematikat e urbanistikës në Shqipëri, pse jo me universitetin e Besnik Alisë dhe institutin e Dritan Shutinës. Idetë e ekspertëve të huaj ishin fillestare, shpesh groteske, pa ndonjë lidhje me realitetin dhe besoj aspak të dobishme për “konstruktorët e gjeneratës tjetër”. 

Natyrisht që vendi ka nevojë për ekspertizë ndërkombëtare për turizmin, për shtrirjen e qyteteve dhe rimëkëmbjen e fshatrave, por konferenca nuk ia doli të shënonte asnjë moment që sillte risi apo furnizonte nevojat tona për një ekspertizë të tillë. Ç’do të bëjë Rama me propozimin për të mos ndërtuar rrugë që të çojnë në bregdet pasi do të shtohen turistët dhe do të ndotin detin, siç tha përafërsisht një nga ekspertët e “gjeneratës tjetër”? Do prishë rrugët që tashmë janë ndërtuar që të ruajë bregun? Do mbajë Piramidën për hir të rrëshqitjes së kalamajve, apo vila e diktatorit në Bllok do konkurrojë hotel “Grandin” për trajnime? 

Konferenca ishte thjesht një koperturë për trajtimin e ashpër urban që qeveria e re ka lajmëruar se do të bëjë në të gjithë vendin. Prishja e ndërtimeve pa leje është një emergjencë. Nuk ka qenë e nevojshme të ftohen të huajt për të na mbushur mendjen të pranojmë aksionin e lajmëruar të Ramës. Edhe Kryeministri i ri e di këtë gjë. Dhe përderisa e di, nuk e ka pasur këtu hallin. Halli është te pranimi i modelit që propagandon qeveria e re që prej fushatës së zgjedhjeve të vitit 2009 dhe ato lokale të 2011-s, një model që është rrëzuar dy herë me vota. Nuk ka ra më 2013-n, pasi nuk e përmendën. Po flasin për të vetëm pas zgjedhjeve.  Ky model ka si strukturë mbajtëse shndërrimet urbane të kontrolluara nga shteti, përmes të cilave do të arrihet edhe kontrolli social. Strukturë e cila ka kohë që është një mënyrë e gjimnastikës së Ramës sa herë merr pushtet. Në vendet tashmë të stabilizuara nga pikëpamja urbane, kjo rrugë është normale dhe natyrisht që duhet të ndalojë te kontrolli social, siç edhe ndalon në Perëndim, duke mos tejkaluar kufijtë e kontrollit përtej kujdesit për mirëqenie te kujdesi për idetë. Por atje nuk quhet model. Thjesht një metodë apo një aplikim, punë rutinë e institucioneve lokale apo qendrore që mbulojnë këto çështje. 

Socialistët tanë e quajnë model. Dhe si të tillë nuk mund ta aplikojnë komunat apo bashkitë, por një strukturë e madhe që nuk mbulon vetëm problemet urbane, por edhe çështje të tjera. Këtu ndodh deformimi e kontrolli edhe përtej atij social. Kontrollohet gjithë zhvillimi, njëfarë kapitalizmi i planifikuar si ai i vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, i cili ushqen korrupsionin, krimin e organizuar dhe e çon shtetin në dorë të autokratëve dhe diktatorëve miliarderë, më keq se në socializëm.

Rama ka deklaruar se do të zhbëjë planin urbanistik të Tiranës, një plan që mori jetë dy vitet e fundit që Bashkia nuk është drejtuar prej tij. Rrëmuja urbane në Tiranë nuk do të ishte kaq e thekshme dhe problem për “gjeneratën tjetër të Durranës” nëse plani urbanistik do të publikohej dhe njerëzit do të kishin të qartë se ku ndërtohej dhe si ndërtohej. Për dhjetë vjet Rama nuk e bëri, edhe pse e premtoi planin dhjetë vite rresht. Ka premtuar tjetërsimin për shumë plane të tjera urbanistike lokale, si dhe do të shndërrojë hartën administrative të vendit. Do të zhbëjë mijëra ndërtime pa leje në bregdet pa pyetur të zgjedhurit e tij se sa aplikime për leje janë bërë dhe sa leje kanë dhënë të zgjedhurit e majtë që kanë pushtetin nga Ksamili deri në Velipojë, përfshirë Sarandën, Vlorën, Durrësin. 

Në këtë rrëmujë, një fshesë urbane është e domosdoshme, por qeveria e re duhet më parë ta mbushë me moral këtë fshesë që të gjithë të besojnë se bëhet për të mirën e të gjithëve, dhe jo për të shpërndarë dhurata në funksion të mbajtjes së pushtetit. 

Edhe pse konferenca dështoi, duke qenë se është thjesht konferencë, nuk ka ndonjë problem të madh, thjesht komplikohet pak kopertura që deshi të vendosë Rama. Dështimi apo suksesi nuk atakojnë strategjinë për implementimin e modelit. 

Modeli tashmë është modifikuar edhe përtej urbanizimit, me rishikime dhe shndërrime të koncesioneve, jo vetëm të hidrocentraleve, por edhe të industrive të tjera. Janë në rrezik disa prej bizneseve të konsoliduara tashmë, të cilat ose do t’i kalojnë shtetit, do mbyllen në fillim e më pas do zëvendësohen me emra të tjerë për të njëjtat shërbime. Një frymëzim për modelin që nuk ndalet te biznesi dhe urbanistika, por vijon te administrata publike me projektimin e strukturave të reja për ministritë që të largojë nëpunësit dhe shfaqet më pas me konfliktin me Presidencën, Prokurorinë, institucionet e tjera të pavarura. Gjysma e PS-së numëron gjithë ditën numrin e zyrave që do të ketë opozita nga shtatori e në vijim. 

Tani nuk quhet çmontim si në ’97-n kur Nano u bë Kryeministër, por model.

http://www.panorama.com.al/2013/08/28/nje-dite-e-deshtuar-per-gjeneraten-e-durranes/