Këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nis gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, si dhe tre të pandehurve të tjerë për të njëjtën dosje hetimore.

Meta, i cili akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie, ka kërkuar që seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt për publikun, me qëllim garantimin e transparencës së plotë.

Për këtë, ai i është drejtuar më herët gjykatës me një letër të posaçme, ku thekson se transparenca dhe llogaridhënia janë detyrim për çdo institucion dhe funksionar publik.

Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor 2024, teksa po hynte në Tiranë, në një operacion të forcave speciale. Pamjet e arrestimit mbeten dalja e tij e fundit publike.

Deri më tani, Meta i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa pritet që në këtë proces të ketë për herë të parë një përballje të drejtpërdrejtë me prokurorët në sallën e gjyqit, në prani të kamerave.