10 gusht 2013 – Ai flet pa dorashka. Ndryshe nga shumë të tjerë, që janë në pozitat e tij, nuk përpiqet të duket si intelektual dhe rrëfen pa ndrojtje edhe detaje personale nga jeta. Agron Duka thotë se është nevrik dhe që i vogël ka dashuruar sportin. Lindur dhe rritur në Shijak, si deputet i kësaj zone, Duka zbulon se përfshirja e tij në politikë ka qenë fare rastësorë. Në adoleshencë ka punuar në prashitje e më vonë studioi për bujqësi. Pas këmbënguljes së kunatit të tij, ai shpejt u bë Ministër i Bujqësisë dhe prej shumë vitesh është pjesë e politikës shqiptare. 

Z. Duka, cila është origjina e familjes suaj? 

Familja ime është me origjinë nga Nivica e Kurveleshit, një fshat malor afër Tepelenës, ardhur në Xhafzotaj të Shijakut në vitin 1930. Gjyshi im, Ramadan Duka, pasi mbaroi studimet e larta në Vjenë për bujqësi, dega Agronomi, filloi punë në stacionin zooteknik Xhafzotaj. Ndërsa gjyshi nga nëna është nga Ishmi, një fshat që në atë kohë bënte pjesë në nën prefekturën e Shijakut. 

Ju vetë ku keni lindur e jeni rritur… ? 

Unë kam lindur në Xhafzotaj, ku kalova edhe vitet e para të fëmijërisë. Kur mbusha 10 vjeç familja u transferua në Shijak ku edhe jam rritur. 

Si ka qenë fëmijëria juaj? Çfarë pune bënin prindërit? 

Fëmijëria ime ka qenë normale, e qetë dhe pa probleme. Duke qenë se babai im është marrë me sport, më konkretisht me futboll, dëshironte të njëjtën gjë edhe për mua. Që i vogël jam marrë me atletikë dhe më pas me volejboll. Prindërit e mi kanë qenë mësues, nëna në ciklin e ulët ndërsa babai në shkollën e mesme bujqësore, sepse edhe ai ka mbaruar shkollën e lartë për Agronomi. 

Keni qenë djalë “haram” apo i urtë? 

Nuk e di çfarë keni parasysh kur thoni haram, po natyrisht i urtë nuk kam qenë. Im atë nuk toleronte në sjellje, prandaj do të thosha që kam qenë një fëmijë i sjellshëm, por kur më dukej se dikush ma punonte pa të drejtë, bëhesha shumë nevrik. 

Vitet e adoleshencës ku i keni kaluar? Po shkollën e mesme ku e keni kryer? 

Vitet e adoleshencës i kam kaluar në Shijak, ku kam mbaruar shkollën e mesme. Ngaqë merresha me sport, në ato vite ëndrra ime ishte të arrija cilësi sportive, gjë që e arrita me shumë punë. 

Si i kujtoni ato vite? Çfarë kishin dhe çfarë u mungonte adoleshentëve të moshës suaj? 

Unë në përgjithësi jam tip nostalgjik dhe më merr malli për atë kohë. Në ato vite rinia kishte më shumë shpirt dhe e donim njëri-tjetrin pa asnjë interes. Çfarë na mungonte?! Shumë, përveç viteve të rinisë, s’kishim thuajse asgjë tjetër. Siç e dini në atë kohë ishin të ndaluara shumë gjëra… Nuk të lejonin të visheshe sipas dëshirës, të dëgjoje muzikë të huaj, deri edhe te flokët të ndërhynin. Jeta në përgjithësi asokohe ishte e varfër, aq më shumë për rininë. Unë falë sportit e ndjeja më pak. Më dukej sikur nëpërmjet tij plotësoja mungesat e tjera. 

Si “i gjuanit” vajzat asokohe? I ndalonit në rrugë? U dërgonit letra? Apo nëpërmjet shoqërive të përbashkëta? 

Besoj se “gjuetia” nuk ka ndryshuar shumë. Funksiononin metoda të ndryshme sipas rastit. I ndalonim në rrugë me atë shprehjen e famshme, ‘ka mundësi një minutë?’. Kishte raste dhe me letra, po edhe nëpërmjet shoqërive të përbashkëta. Mundësia për të qenë në shoqërinë e vajzave atëherë ishte më e vështirë sepse mungonin diskot, takimet që bëhen sot në ‘party’ pa asnjë paragjykim, kompjuterat, telefonat, makinat etj. Shpesh të duhej të rrije poshtë pallatit me orë të tëra deri sa ajo që “gjuaje” të dilte rastësisht për të blerë bukë, apo diçka tjetër. 

Me bashkëshorten si jeni njohur? 

Me bashkëshorten jam njohur nëpërmjet një miku tonë të përbashkët. Ajo e kishte kushëri, ndërsa unë shok. 

Çfarë ju bëri për vete tek ajo? 

Ishte vajzë e thjeshtë dhe arrinte të më suportonte. Siç ju thashë, unë jam nevrik dhe nuk është e lehtë ta kalosh me mua. Ndoshta duhet të pyesni atë ‘Ça i pëlqeve Agronit’? 

Në çfarë moshe jeni martuar? 

Unë jam martuar pothuaj 30 vjeç. Në atë kohë kjo ishte mosha normale për ata që bënin shkollën e lartë. Pothuajse të gjithë shokët e mi të universitetit janë martuar rreth kësaj moshe.

Cila ka qenë puna juaj e parë? 

Unë kam punuar që i vogël. Im atë na çonte të punonim në bujqësi gjatë pushimeve të verës kur ishim në shkolle të mesme. Punonim në kooperativë ose fermë, në përgjithësi prashitje. Këtë e bënim si pjesë të edukimit, përveç asaj ekonomike. Më vonë kur mbarova shkollën e lartë u emërova në kooperativën e Shijakut si agronom. 

Po përfshirja në politikë si ndodhi? Kush ju shtyu të bënit këtë zgjedhje? 

Përfshirja në politikë ka qenë rastësore. Unë kurrë nuk kisha aspiruar për politikë. Madje isha pothuaj indiferent ndaj saj. Njeriu që më shtyu të bëj këtë zgjedhje ka qenë kunati im, Leonard Koka, i cili në atë kohë kishte një miqësi me kryetarin e PS-së, Fatos Nano. Meqë atëherë sistemi zgjedhor ishte mazhoritar, Nano më propozoi të kandidoja në zonën e Shijakut për Partinë Socialiste. Në fillim nuk e pranova propozimin, sepse ajo zonë deri atëherë ishte bastion i PD-së. Më vonë me këmbënguljen e Nardit, pranova të kandidoja, por me kusht që ai të ndërmjetësonte te Nano dhe unë të kandidoja si i pavarur, gjë që ai e pranoi. Kështu, në vitin 2001 u bëra deputet dhe më pas ministër i Bujqësisë. 

Përveç kohës dhe përkushtimit ndaj njerëzve, duhet të jesh i pasur që të bëhesh politikan? 

Tani me këtë Kod Zgjedhor është sa e vështirë, aq edhe e lehtë që të bëhesh politikan. Mjafton të kesh mik një nga kryetarët e partive të mëdha dhe për një muaj e gjysmë bëhesh deputet. Ama po nuk ishe në preferencën e tyre është thuajse e pamundur. Natyrisht, të duhet kohë dhe përkushtim ndaj njerëzve. Të jesh i pasur nuk është keq, por shpeshherë në politikë bëhesh objekt sulmesh dhe xhelozish. 

Nga figurat politike qoftë shqiptare apo në botë, kë vlerësoni më së shumti? Pse? 

Nga figurat politike, unë vlerësoj shumë Fatos Nanon. Sipas meje ai është një njeri që di të menaxhojë e di të falë, pra nuk mban mëri. Nano delegon pushtet, gjë që nuk e kam venë re tek të tjerët. Kam vënë re që njerëzit më kollaj falin para se sa të lejojnë t’i rrëshqasë qoftë edhe një grimë pushtet nga dora. 

Si është një ditë e juaja prej mëngjesit deri në mbrëmje? 

Zgjohem pothuajse përditë në orën 6-6:30. Dal në bregdet dhe bëj rreth 1 orë ecje me hap të shpejtë. Në orën 9-të shkoj në zyrë, tek ‘Aiba’, ku rri deri në orën 14:00. Më pas drekoj në shpi ose restorant. Shtrihem për rreth një orë, e më pas dal për takime të ndryshme biznesi, politike apo për sportin sipas rastit. Kthehem në shtëpi rreth orës 22:00, përveç rasteve kur e prish me ndonjë gotë verë dhe kthimi nuk ka orar. 

Sa kohë kaloni me familjen? 

Përgjithësisht në fundjavë jam gjithmonë me familjen. 

A ankohen ata për oraret tuaja të gjata në punë? 

Nuk ankohen, sepse kam kohë sa t’i mërzis. 

Pushimet sivjet i keni bërë, apo akoma? 

Kam bërë pushime të shkurtra, sepse nuk më pëlqen të rri gjatë në një vend. Jam nga ata që shfrytëzoj edhe plazhin e Durrësit. 

Ku i kaloni pushimet zakonisht? 

Nuk kam ndonjë vend fiks. Zakonisht i kaloj në Durrës, në jug ose jashtë Shqipërisë. Më pëlqen shumë Kroacia dhe Italia. 

Cili është objektivi juaj kryesor për këtë mandat si deputet? 

Objektivi im kryesor është të bëj një opozitë konstruktive, sidomos në dy fusha që pretendoj se i njoh më mirë, në bujqësi dhe sport. Gjithashtu, edhe të shërbej si interlokutor i halleve dhe problemeve të banorëve të zonës me qeverinë.



/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb/