VARSHAVË,7 gusht 2013 – “Shqipëria magjepsëse – shumica e njerëzve këtu kanë një armë dhe Mercedes. Por a ia vlen të paguajmë qimet e kokës për pushime në Kroaci?” – ky është titulli i reportazhit të botuar më 6 gusht 2013 në uebsajtin polaknatemat.pl. Shkrimi shoqërohet me dy foto nga plazhi i Durrësit, në mëngjes dhe natën. Autori e pranon se ka “pabe në bunkerë të vjetër, tonelata mbeturinash buzë rrugëve dhe makina pa fund Mercedes – të gjitha këto mund të gjenden në Shqipëri. Shumica e familjeve kanë armë zjarri në shtëpitë e tyre”, “por ka plazhe të bukura si Kroacia dhe çmime shumë të ulëta”. Sipas gazetarit, “polakët e duan Ballkanin, që quhet nga disa si Amerika Latine e Evropës, por më së shumti njohin vetëm Kroacinë”. Uebi vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në BE, si dhe bën thirrje: “Është shansi i fundit për të vizituar këtë cep të mrekullueshëm Evropës, që ende nuk është zbuluar plotësisht”. Gjithsesi, brezat e vjetër polakë, sidomos femrat, e kujtojnë me nostalgji plazhin e Durrësit, ku veronin dhe bënin dashuri me djemtë vendës deri para vitit 1960. Vetëm pas 30 vjetësh polakët shkelën në Durrës, ku ndërtuan një ndërmarrje të përbashkët me kantierin detar, që rezultoi një dështim i plotë.
Fragment nga shënimi i Radios “Evropa e Lirë”, 19 korrik 1961 “Polakët nuk shkojnë për pushime në Shqipëri”
MYNIH 19 korrik 1961 – Gazeta New York Times njoftoi sot se agjencia zyrtare turistike polake “Orbis” kishte anuluar të gjitha udhëtimet turistike për pushime në Shqipëri këtë verë.
“Nju Jork Tajms”-i tha se nuk ishte dhënë asnjë shpjegim zyrtar për këtë gjë. Megjithatë, mësohet jo-zyrtarisht, por nga burime të besueshme se autoritetet shqiptare u kanë refuzuar viza ose lejehyrje si polakëve ashtu dhe gjermano-lindorëve. Nëse kjo është e vërtetë atëherë “Orbis”-it nuk i mbetej gjë tjetër veçse të anulonte udhëtimet e tij turistike.Pohimi i New York Times -it se vitet e fundit bregdeti shqiptar i Adriatikut ka qenë destinacion pushimesh për polakët duket se nuk është fort i saktë, pasi Shqipëria nuk i plotëson kushtet për argëtimin e turistëve dhe sigurisht një numër shumë i madh polakësh kanë parapëlqyer bregdetin bullgar të Detit të Zi, Rumaninë dhe Jugosllavinë. Por nuk ka dyshim që “Orbis”-i planifikoi udhëtime turistike në Shqipëri këtë verë. Gazeta [e komunistëve polakë] Trybuna Ludu njoftonte më 27 prill se në Tiranë ishte vendosur një përfaqësues i përhershëm i “Orbis”-it për realizimin e këtyre udhëtimeve turistike…
Info
Kontaktet midis dy vendeve, nga Baltiku në Adriatik
Kontaktet polake-shqiptare në shekuj pothuajse nuk kanë ekzistuar. Në vitet 1918-1939, qeveritë e njëpasnjëshme të Republikës së Polonisë, nuk ka treguar interes për këtë cep të Evropës. Përfaqësuesi i parë polak diplomatik i akredituar në Shqipëri ishte Vladislav Shvarcburg-Gynter (Wladyslaw Schwarzburg-Gunther, 1885-1974), ambasadori polak në Athinë, i cili në vitin 1937 mori gjithashtu akreditimin për Shqipërinë. Shvarcburg-Gynter përfaqësoi Poloninë në vitin 1938 në dasmën e mbretit të Shqipërisë Ahmet Zogu.
NGROHTËSI
Pas Luftës së Dytë Botërore, Qeveria e Unitetit Kombëtar e Republikës Popullore të Polonisë njohu zyrtarisht Republikën e Shqipërisë, në 5 nëntor 1945, por marrëdhëniet diplomatike u vendosën në vitin 1949, atëherë, kur të riatdhesuarit polakë në Shqipëri gjithnjë e më shumë filluan të kërkonin ndihmë në Ambasadën polake në Beograd. Diplomati i parë polak i pasluftës në Tiranë ishte i ngarkuari me punë Boleslav (Boleslaw) Jeleń (1911-1985). Kurse i ngarkuari shqiptar me punë në Moskë Mihal Prifti mbulonte dhe Poloninë. Në gusht 1954, përfaqësitë u ngritën në rangun e ambasadës. Në shtator, në Tiranë filloi nga puna ambasadori i Polonisë Edward Pietkiewicz (1909-1998), kurse ambasadori shqiptar Musin Kroi mbërriti në Varshavë në tetor 1957. Fillimisht, marrëdhëniet diplomatike ishin shumë miqësore. Vizita të organizuara të dendura zyrtare, u nënshkruan një numër marrëveshjesh dypalëshe, për shembull, në vitin 1951 mbi bashkëpunim tekniko-shkencor dhe kulturor. Agjencia turistike polake “Orbis” ka bashkëpunuar me “Albturist”-in shqiptar.
KUADRO
Deri në mesin e viteve 1960 në Poloni kanë studiuar qindra shqiptarë, mes tyre ambasadorët e mëvonshëm në Poloni, Osman Kraja dhe Enver Faja; anëtar i KQ të PPSH, Ministri i Transportit dhe Komunikacionit Luan Babameto; zëvendësministri i Transportit, dhe më vonë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shfrytëzimit të Hekurudhave Llambi Leka; drejtori i drejtorisë së jashtme në Ministrinë e Transportit dhe kryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Poloni Leonard Zisi etj.
PARTNERITET TREGTAR
Sigurisht, prishja e Shqipërisë me Moskën u reflektua në marrëdhëniet shqiptaro-polake. Që nga ajo kohë, nuk kishte asnjë bashkëpunim politik polak-shqiptar. Në vitet 1970 Polonia ishte partneri i tretë dhe i katërt më i madh tregtar i Shqipërisë. Shqipëria importonte pajisje minierash, makina dhe furgonë, pajisje dhe sisteme elektrike, pajisje mjekësore laboratorike, makineri për industrinë ushqimore, produkte kimike, ushqimore etj. Polonia importonte nga Shqipëria bitum, mineral kromi, boksite, pllaka dhe blloqe mermeri, kabllo dhe tela bakri, duhan, cigare, bimë mjekësore, veshje, lesh, perime, fruta, qumësht, mjaltë, konjak.
PAS VDEKJES SË HOXHËS
Në shtator të vitit 1989, Akademia e Shkencave në Varshavë organizoi një konferencë shkencore treditore mbi marrëdhëniet polake-ballkanike, duke përfshirë dhe ato polake-shqiptare. Në fund të vitit 1989, në Varshavë, u krijua një grup nismëtar për riaktivizimin e ish-Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni. Pas gati 30 vjet, në nëntor 1988, u zhvilluan bisedimet e para në nivel të Ministrave të Jashtëm. Në nëntor të vitit 1989, u shkëmbyen dokumente për ngritjen e rangut të misioneve në ambasada.
DURRËS-GDANSK
Me ndërmjetësimin e ish-të diplomuarve shqiptarë në Poloni, në vitin 1993 u nënshkrua marrëveshja për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët shqiptare-polake midis kantierit detar të Gdanjskut që mori mbi 51 për qind të aksioneve dhe kantierit Durrësit. Në vitin 1997, në kuadrin e kontingjentit ushtarak ndërkombëtar të OKB-së, një kompani polake mori në mbrojtje kantierin detar. Ndërkaq ndërmarrja e përbashkët Durrës-Gdansk ishte dështim i plotë. Polakët ia shitën pjesën e vetë kompanisë turke “Kurum”, që e mbylli fare aktivitetin e riparimit të anijeve. Në vitin 2011 u mbyt doku lundrues polak i vitit 1939 në basenin e portit të Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





