DURRËS, 2 gusht 2013 – Festivali “Netët e muzikës klasike” ka startuar mbrëmjen e së enjtes, 1 gusht 2013, me dy spektakle, që i bashkonte krijimtaria e dy autorëve që kanë një lidhje shumë të fortë me Durrësin, qytetin ku organizohet që prej 10 vitesh bienalja e vetme muzikore në Shqipëri.
Në Katedrale
Kori kamertal i Filarmonisë së Kosovës erdhi me programin tematik të titulluar “Durrës, 700 vjet muzikë: nga Kukuzeli në ditët tona”. Një mbrëmje kushtuar njërës prej pioniereve të muzikës operistike në vendin tonë, Nina Mula, e cila, siç përkufizoi themeluesi i bienales Florian Vlashi “preferoi të qëndronte gjithmonë në hije, me gjithë kontributin e pazëvendësueshëm në muzikën tonë të re”. Koristët dhe solistët kosovarë, Adelina Paloja, Riad Ymeri, Misbah Kaçamaku, së bashku me violinistin Florian Vlashi interpretuan në mënyrë madhështore dy nga ariet e Jan Kukuzelit, dhe më pas “Kukuzeljanën” e kompozuar nga dirigjenti Rafet Rudi, një personalitet i shquar në gjininë e drejtimit koral. Mjediset e kon-katedrales “Shën Luçia” të mbushura me dëgjues të të gjitha moshave jehuan nga muzika mesjetare, kur tri pjesë nga Antifonari, i kompozuar në vitin 1532 prej shqiptarit të Italisë Gjergj Lapacaja, erdhën për herë të parë për publikun shqiptar. Nata kushtuar muzikës së vjetër u mbyll me pjesët e kompozitorit Benjamin Britten, duke rikujtuar edhe një herë përshëndetjen hyrëse të Festivalit, që u hap simbolikisht nga prof. dr. Përparim Kabo, me një ligjëratë emocionuese dhe profesionale mbi Kukuzelin dhe Durrësin në mesjetën e hershme.
“Rebek”-u
Spektatorët dhe artistët pjesëmarrës lëvizën së bashku në rrugët e qytetit 300-vjeçar, për t’u grumbulluar përsëri së bashku në galeritë e amfiteatrit antik, ku befasi të tjera me titullin “Ëndërrim trubadurësh” u ishin rezervuar në disa prej galerive kryesore të tij. Instrumentistja Genta Tonuzi, që jeton dhe punon në Francë, i ftoi dëgjuesit të zënë vend, duke i joshur me tingujt e instrumentit “rebek”, një lloj lahute, pararendëse e violinës së sotme. Një mjeshtër tjetër i instrumenteve me korda, kitaristi Ehat Musa, i njohur prej 40 vjetësh në Shqipëri për suksesin e tij të merituar në Francë, i bënë mjediset e monumentit më të madh të vendit tonë dëshmitarë të një nate magjike, në të cilën erdhën edhe “Pesë këngë nga koha e Shekspirit”.
Studiuesi dhe Antifonari
Prof. Domenico Morgante, studiuesi më i thelluar i veprimtarisë muzikore të Gjergj Danush Lapacajës paraqiti në mënyrë të përmbledhur rezultatet e punës së tij 35-vjeçare, që nga zbulimi i Antifonari-t, një muzike procesionale, që mban datën 1532, pra 23 vjet para Meshari-t të Buzukut tonë. Me ndihmën e kompozitorit durrsak Edmond Buharaja, prof. Morgante hodhi dritë mbi kapacitetet krijuese të abatit me origjinë nga Durrësi, “tokë e virtytshme dhe perandorake”, siç e quan ai vendin e origjinës në një nga botimet e tij në fushën e matematikës. Lapacaja ishte njëkohësisht një nga personalitetet shkencore më të njohura në perëndimin mesjetar, bota pedagogjike e të cilit ribotoi për më shumë se 250 vjet një nga traktatet e matematikës shkruar prej tij në vitin 1542. Mbrëmja e magjishme muzikore e amfiteatrit u mbyll me tingujt e Antifonari-t të Gjergj Danush Lapacajës, kompozitori mesjetar që jetoi në Monopoli (Itali), duke nënvizuar vazhdimisht origjinën e tij shqiptare.
Në foton kryesore: Kori kamertal i Filarmonisë së Kosovës; në fotot poshtë: 1. Prof. Domenico Morgante duke folur për Gjergj Danush Lapacajën; 2. “Ëndërrim trubadurësh”; 3. Instrumentistja durrsake Genta Tonuzi, që jeton dhe punon në Francë, me “rebek”, një lloj lahute, pararendëse e violinës së sotme.
/g. k. & th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





