DURRËS, 1 gusht 2013 – Qarkut të Durrësit qeveria në ikje i heq edhe19 hektarë pyje në zonën “Krastë – Krujë”, në Picrragë, që bashkë me fshatrat Brret dhe Barkanesh, është nën juridiksionin e bashkisë së Krujës. Kjo sipërfaqe e gjelbër, me propozim të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Fatmir Mediu dhe të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Florjon Mima do të hiqet nga fondi i pyjeve; do të kthehet në zonë minerare për llogari të ministrisë së Ekonomisë ,Tregtisë dhe Energjetikës.
Vendimi
Më 31 korrik 2013, Këshilli i Ministrave vendosi që sipërfaqet në ngastrat 9/a, 99/b, 99/c dhe 100/a të ekonomisë pyjore “Krastë-Krujë”, Krujë, gjithsej 19 ha, që do të përdoren nga shoqëria “Shpresa-Al”, shpk, për shfrytëzimin me karrierë të gurit gëlqeror në vendburimin “Pic(r)ragë”, të hiqen nga fondi pyjor dhe Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave, sipas tabelës 1 dhe hartës përkatëse që i bashkëlidhen këtij vendimi. Sipërfaqja e sipërpërmendur duhet të regjistrohet në kadastrën minerare, në administrim të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pronësi publike. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi të përcaktohen në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të fondit pyjor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave sipas pikës 1, të këtij vendimi, bën çregjistrimin e saj nga kategoria “Tokë e zënë, pyll, djerr” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi me karrierë të gurit gëlqeror” sipas kondicioneve të projektit të parashtruar dhe planimetrisë bashkëlidhur, në përputhje me kërkesat e akteve, ligjore dhe nënligjore, në fuqi për fondin pyjor. Shoqëria “Shpresa-Al”, shpk të paguajë për sipërfaqen që hiqet nga fondi pyjor tarifat e llogaritura sipas lidhjes 4, bashkëlidhur vendimit nr. 391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Shpresa-Al”, shpk të pyllëzojë me fondet e veta, brenda 3 (tri) viteve, sipërfaqen 19 ha, fond pyjor, në ngastrat e përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor. Mënyra e pyllëzimit dhe grafiku i punimeve caktohen nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor, e cila ndjek punimet deri në marrjen në dorëzim me procesverbal të sipërfaqes së pyllëzuar, sipas marrëveshjes që do të lidhet ndërmjet tyre. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit të sipërfaqes nga shoqëria “Shpresa-Al”, shpk, sipërfaqja e rehabilituar të riregjistrohet fond pyjor sipas mënyrës së rehabilitimit.
Reagimi
E përditshmja “Shqiptarja.com” ka cituar ambientalistin e njohur Xhemal Mato:
“Ky vendim është një vendim antiambientalist dhe një vendim që e dëmton shumë mjedisin dhe shëndetin e banorëve aty pranë. Shkatërrimi i 19 ha pyll sjell edhe dëme ekonomike të mëdha. Vetëm këto kohë janë shkatërruar gati 40 për qind e pyjeve. Shumë vendime qeverie këto dy muajt e fundit janë marrë në dëm të mjedisit. Madje ky vendim është marrë, edhe pa pyetur banorët e zonës ku do të bëhet shpyllëzimi”.
Lejet para ligjit
Ndërkaq me ligjin Nr. 9793, datë 23.7.2007, Kuvendi vendosi që “parcelat pyjore, që do të përdoren nga [kompania greke] “Antea Cement” sh.a. për ndërtimin e fabrikës së çimentos, me sipërfaqe 65,75 ha, për karrierë flyshi, me sipërfaqe prej 58,95 ha dhe karrierë gëlqerorësh, me sipërfaqe prej 99,76 ha, të cilët ndodhen në ekonomitë pyjore Kastë – Krujë dhe Shëmri – Brret, gjithsej 224,46 ha, të hiqen nga fondi pyjor kombëtar dhe të çregjistrohen nga kadastra kombëtare e pyjeve”. Por “Antea Cement” sh.a e kishte marrë lejen minerare nr. 988 qysh më 2 shkurt 2007 nga ish-ministri Genc Ruli 5 muaj para daljes së ligjit. Por habia është se edhe “Shpresa-Al”, shpk e kishte marrë lejen nr. 999 qysh më 16 mars 2007, po nga Ruli, 6 vjet para vendimit të Berishës së 31 korrikut 2013 (shih foron e gurores)!
Edhe 194,87 ha
Pesë muaj më vonë, me ligjin Nr. 9846 date 17.12.2007, Kuvendi vendosi që “për parcelat pyjore, që do të përdoren nga shoqëria "GENER 2" shpk për ndërtimin e fabrikës së çimentos dhe tullave të lehtësuara, me sipërfaqe 11,67 ha; karrierë guri gëlqeror, me sipërfaqe 127,42 ha; karrierë argjile, me sipërfaqe prej 55,78 ha; gjithsej 194,87 ha, të cilat ndodhen në ekonominë pyjore Krastë-Krujë, të veprohet kështu: sipërfaqja për ndërtimin e fabrikës të hiqet nga fondi pyjor kombëtar; sipërfaqet, që do të përdoren për karriera, të mbeten në fondin pyjor kombëtar, duke u regjistruar në zërin kadastral sipërfaqe joprodhuese pyjore. Të përcaktohen në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të fondit pyjor kombëtar, që përftohen nga heqja dhe ndryshimi i zërit kadastral të këtyre parcelave, sipas nenit 1 të këtij ligji, si dhe të përfundojnë procedurat e pagesave të sipërfaqes totale prej 194,87 ha, sipas vendimit nr. 391, date 21.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”.
Info
Pyjet e Krujës
Rrethi i Krujës historikisht njihet si zonë e gjelbëruar (me shkurre, ah, pishë, ullinj, etj.) rreth 10 500 ha. Në perëndim të qytetit shtrihet Krasta me mbi 600 ha gjelbërim, nga Zeza, në jug Barkaneshi e deri në Drojë, në veri Picrragë. Para vitit 1970 në këtë territor kishte kryesisht pyje të llojit shkurre dhe ullinj. Kjo zonë është shfrytëzuar për kullotjen e bagëtive dhe pjesërisht për kultivimin e kulturës së ullirit e pemëve dru frutorë. Në periudha të ndryshme dhe në sektorë të veçantë, zona është shfrytëzuar për nxjerrjen e gurit (formacion gëlqeror) e prodhimin e gëlqeres, për plotësimin e nevojave të qytetarëve. Në vitet 1970, me iniciativën e specialistëve, ing. pyjesh F. Llubani e M. Loka, pranë Ndërmarrjes Pyjore Krujë, u bë projekti për pyllëzimin me pishë të sektorit Krastë, i cili u realizua brenda 2-3 vjetësh. Me rritjen e tyre peizazhi i Krastës mori një pamje tjetër, sa që çdo qytetar apo vizitor-turist fliste me respekt për iniciatorët e këtij pyllëzimi. Pas 20 vjetësh, si kudo në vendin tonë edhe Krasta pësoi një sërë ndryshimesh. U hapën rreth 100 gropa për prodhimin e gëlqeres, të cilat përdornin dru, që merreshin në Krastë, në Malin e Krujës dhe në Qafë-Shtamë. U hapën edhe disa gurore. Të gjitha këto ndikuan në pakësimin e sipërfaqeve të gjelbëruara, prishjen e peizazhit, por dhe ndotjen e madhe të ajrit. Kur filluan të përdoren gomat e lëndët plastike për djegie në prodhimin e gëlqeres dhe u hapen disa frantoja, ajri i ndotur mbuloi dhe qytetin. Kjo ka rënë në sy edhe të vizitorëve-turistë të cilët nuk kanë hezituar të thonë fjalën e tyre kritike.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





