TIRANË, 26 korrik 2013 – Deputeti PS-së për qarkun e Durrësit Ilir Beqja akuzon kryeministrin në detyrë Sali Berisha se po qeveris duke dhënë koncesione që fillohen nga propozime të pakërkuara.Beqja përmend shembullin e portit të ri të jahteve tek Ura e Dajlanit në Durrës.Në faqen e tij zyrtare në Facebook, Beqja shkruan se, qeveria e Berishës për 8 vjet nuk ndërtoi asnjë plan për zhvillimin e bregdetit.

“SB vazhdon të qeverisë duke dhënë koncesione që fillohen nga propozime të pakërkuara. Ja shembulli i radhës me portin e ri të jahteve tek Ura e Dajlanit. Pas 8 vjetësh në qeveri, SB nuk ndërtoi një plan të plotë të zhvillimit të bregdetit, por miratoi vetëm propozime të pakërkuar”, shkruan Beqja.

Info

Sikurse ka njoftuar “Dyrrahu” më 14 qershor 2013, 8 ditë para zgjedhjeve, Qeveria ka miratuar, më 14 qershor 2013, dhënien me koncesion të ndërtimit të portit të jahteve pranë Urës së Dajlanit, Durrës. Koncesioni do të jetë i formës BOT (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit). Iu dha bonusi prej 8 për qind të pikëve, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar), që i jepet subjektit “Adriatic Yachting Marina”.

 

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/