DURRËS, 26 korrik 2013 – Në rezidencën e ambasadorit të Italisë në Tiranë, u zhvillua më 26 korrik 2013 ceremonia e përmbylljes së aktivitetit 16-vjeçar të Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri (DIE).Ceremoninë e hapi ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, ndërsa më pas ka përshëndetur shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Mbrojtjes italiane, admiral Luixhi Bineli Manteli (Luigi Binelli Mantelli), të cilin e kishte pritur paradite në një takim të veçantë zyrtar ministri shqiptar i Mbrojtjes, Arben Imami. Admiral Mantelli vlerësoi me nota shumë pozitive marrëdhëniet midis dy vendeve dhe ushtrive tona, lidhjet me traditat dhe historinë, etj. Admiral Mantelli është ndalur sidomos në rolin dhe kontributin e vyer që ka dhënë në këto 16 vjet DIE në Shqipëri, për punën dhe kontributin e drejtuesve dhe efektivave të saj, për bashkëpunimin e frytshëm të tyre me drejtuesit dhe ushtarakët e FA shqiptare, duke theksuar në fund se: “me kënaqësi mund të themi se tashmë ky mision u përmbush me sukses të plotë”.Duke marrë fjalën, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka falënderuar DIE-n që për gati 16 vjet ka ushtruar veprimtarinë e saj këtu në Shqipëri dhe ka qenë një bashkudhëtare në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në integrimin e plotë të Forcave a të Armatosura në këtë Aleancë.Në fund të ceremonisë, Imami u dorëzoi medalje “Për Shërbime të Shquara” pjesëtarëve të personelit të DIE-s për kontributin e çmuar të dhënë në mbështetjen teknike, stërvitore dhe organizative të planeve të zhvillimit të FA shqiptare dhe përshtatjen e tyre me standardet e NATO. Ndërsa komandanti i DIE-s, kapiten i rangut të parë, Masimo Pelegrini (Massimo Pellegrini) i dorëzoi ministrit Imami një dhuratë në formë pllakate në kujtim të misionit prej 16 vjetësh bashkëpunimi dhe mbështetjeje nga mbrojtja italiane nëpërmjet DIE në Shqipëri.

Info

Delegacioni Italian i Ekspertëve u krijua më 28 gusht të vitit 1997, pas nënshkrimit të një protokolli të posaçëm ministerial dypalësh, si shprehje dhe përgjigje e qeverisë italiane ndaj nevojave për mbështetje të Shqipërisë dhe në veçanti të Forcave të saj të Armatosura. DIE ka qenë model konkret dhe efikas bashkëpunimi midis FA të dy vendeve, duke i dhënë jetë një forme të drejtpërdrejt bashkëpunimi e cila nga asistencë e mirëfilltë, u transformua gjatë viteve në një organizëm bashkëpunimi që përfshiu të gjithë personelin e FA shqiptare, në sektorë dhe shërbime të ndryshme si ai i shëndetësisë ushtarake, i shërbimit meteorologjik, kërkim-shpëtimin, xhenios, për Forcat Detare, Forcat Ajrore, mbrojtjen civile, etj.

Porti i Durrësit, por edhe zona e plazhit, kanë qenë dëshmitarë të ndihmës së paçmuar të ushtrisë dhe popullit italian në ditët më të vështira.

/th. m. agjencia  lajmeve “Dyrrahu”/