26 korrik 2013-Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, thotë se askush nuk mund të hedhë hije dyshimi mbi mënyrën e zgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të PD-së. Në një intervistë për Ora News, Alibeaj thotë se rezultati ishte një mesazh i fortë drejtuar demokratëve.
“Askush nuk mund të hedhë hije dyshimi për mënyrën demokratike  se si u mbajtën zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike”. Ai shprehet se demokratët vlerësuan jo vetëm kandidatët, por votuan mes atyre që ishin pjesë përbërëse e administratës politike dhe partiake të PD-së dhe që ishin pjesë e përgjegjësisë për humbjen më 23 qershor, si dhe atyre që nuk ishin pjesë e përgjegjësisë dhe që u prezantuan si opsion për ringritjen e demokratëve. 
Në lidhje me deklaratat e Olldashit pas daljes së rezultatit dhe Astrit Patozit në një intervistë mbrëmë në Top Channel, Alibeaj thotë se pretendimet e tyre për fitues të paracaktuar duhet të bazohen në fakte dhe jo në indice personale. Ish-ministri i Drejtësisë thotë se PD duhet të ristrukturohet për t’u kthyer në një opozitë të fortë.
Alibeaj nuk ishte pjesë e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe duket se me mbështetjen ndaj Bashës po përpiqet të fitojë besimin e tij.