TIRANË, 24 korrik 2013 – Vazhdon aktiviteti sizmik në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit të 24 korrikut 2013 ranë dy tërmete të lehta një në orën 1:31:18 në jug të Elbasanit dhe tjetri ora 4: 37:52 në veriperëndim të Bulqizës.

Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 24 korrik 2013, ora 2:37:52 GMT ose ora 4:37:52 (koha e Shqipërisë) lëkundje toke me magnitudë M=2.7, epiqendër në thellësinë 15 km, 6 km në vijë ajrore në veriperëndim të qytetit të Bulqizës (shih pikën e kuqe në hartën nr. 1).

Lokalizimi është bërë në koordinatat 41.53°N, 20.21°E, në lartësinë 1900 metra mbi nivelin e detit përballë qytetit të Bulqizës (shih hartën nr. 2 dhe foton) së qarkut të Dibrës.

Po ashtu, departamenti i sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit njofton se më datë 23 korrik 2013 ora 23:31:18 GMT ose 24 korrik 2013 ora 1:31:18 (koha e Shqipërisë) është regjistruar një ngjarje tektonike minore me magnitudë M=2.5, 4 km në vijë ajrore në jug të qytetit të Elbasanit, me epiqendër në thellësinë 7 km e koordinata 41.07°N, 20.12°E.

Në të dy rastet nuk ka pasur njoftime për viktima dhe dëme materiale.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/