Më 3 gusht 2013 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të organizohet takimi i parë prezantues i këtij sporti

 

DURRËS, 23 korrik 2013 – Regbi edhe në Shqipëri, sport “ekzotik” evropian-amerikan, të cilin durrsakët dhe tiranasit po e përurojnë.

Sporti i regbisë (nga anglishtja “rugby”) do të prezantohet pas dy javësh, falë nismës disavjeçare të grupit të pasionuar të shqiptarëve të Italisë, që kanë themeluar skuadrën kombëtare në mërgim.Koordinatori i ekipit Gaspër Daupi thotë se pas marrëveshjes me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”më 3 gusht 2013 do të organizohet takimi i parë prezantues i këtij sporti.Mbështetësi kryesor i projektit është bërë prej kohësh Komiteti Olimpik Shqiptar.Sipas Daupit, rreth 30 sportistë shqiptarë të regbisë, me banim në Itali do të fillojnë këto ditë në qytete të ndryshme të vendit tonë një seri trajnimesh, që synojnë të afrojnë sa më shumë fëmijë dhe të rinj në fushat ku mund të eksperimentohet regbia.Një grup të rinjsh nga Tirana si dhe 8 sportistë nga Kosova do t’i bashkohen nismës së regbistëve, të ardhur nga Italia dhe që janë baza e ekipit kombëtar të Shqipërisë.Djemtë shqiptarë që janë përfshirë në këtë sport janë pjesëmarrës në disa skuadra të njohura në Itali dhe që prej tre vjetësh janë përfshirë në projektin “Albania XV”, aq sa është edhe numri i lojtarëve në një ekip regbie.

Projekti i fundit parashikon edhe krijimin e bërthamave të skuadrave për fëmijë dhe të rinj në Durrës dhe në Tiranë.

/g. k. & th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/