TIRANE, 23 korrik 2013 – Lulzim Basha është kryetari i ri i Partisë Demokratike me një fitore plebishitare pas numërimit zyrtar prej 80% të votave.
Kryetari i dorëhequr Sali Berisha doli sot në mesditë në një konferencë për shtyp, për të prezantuar Lulzim Bashën si pasardhësin e tij në Partinë Demokratike, duke e quajtur "një fillim të ri të shkëlqyer për PD"
Duke bërë një rezyme të aktivitetit të Bashës, Berisha e krahasoi atë me historinë e "të riut të sukseshëm i cili në 2011 mundi Edi Ramën" dhe se "Basha e ka nisur angazhimin e tij në PD, që kur ishte gjimnazist dhe përfaqësonte PD-në në KQZ në zgjedhjet e para pluraliste".
Lajmi fillimisht u konfirmua për "A1 Report" nga një anëtar i Komisionit Zgjedhor të PD, që ishte vendosur në Pallatin e Kongreseve dhe më pas kryetari i dorëhequr Sali Berisha konfirmoi fitoren e Lulzim Bashës si pasardhës i tij në drejtimin e Partisë Demokratike.
"Ju ftoj të urojmë të gjithë, suksese të mëdha kryetarit të ri"- shkruante Berisha në Facebook. Gazetarja Joniada Koçi informon nga Pallati i Kongreseve se 80% e anëtarësisë ka votuar në favor të Bashës, ndërsa 20 % në favor të Olldashit.
Procesi i numërimit i nisur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm u zhvillua jashtë syve të kamerave dhe të medias. Nëpërmjet një postimi në facebook, para se të mbyllej numërimi, Pollo paralajmëroi fitoren e Lulzim Bashës duke i uruar për detyrën.
Kryetari i ri i Partisë Demokratike falenderoi simpatizantët dhe anëtarët e Partisë Demokratike si dhe Sokol Olldashin për garën.
Në deklaratën e parë publike si Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se do të bëjë një opozitë të fortë e të vendosur duke u mbështetur tek energjia e liderit historik Sali Berisha por dhe e themeluesve dhe simpatizantëve të PD-së.
”Do të jap gjithcka me përkushtimin më të lartë ndaj jush. Do mbështetem fort te vizioni kurajo e themeluesve, e Azem Hajdarit. Do mbështetem tek energjia e militantëve dhe tek vlerat e paçmueshme të liderit historik Sali Berisha.





