Një analizë/ Rivalitetit midis kunetërve, në shkallë qarku ishte pothuajse “rrotë-më-rrotë”: LSI-ja mori 11 507 vota, kurse PR-ja 10 260 vota me një diferencë të vogël votash. Gara “rurale”, kështu Duka mundi Sami Gjergjin e FRD-së
DURRËS, 22 korrik 2013 –Agron Duka, ish-ministri i PS-së së Fatos Nanos, ia heq përgjegjësinë Edi Ramës për moskandidimin e tij për të majtën, duke treguar me gisht “fajtorin”: kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.
Në një intervistë botuar më 22 korrik 2013 në të përditshmen Shqip, deputeti i PR-së Agron Duka tha, ndër të tjera se moskandidimit të tij për PS-në për shkak se tek e majta ishte kandidat kunati Lefter Koka i LSI-së, që “e përdori shumë mirë si alibi lidershipi i PS-së, Edi Rama, dhe kjo pastaj, u përdor gjatë gjithë kohës mediatikisht si një arsye bindëse”, nuk është e vërtetë.
Për Dukën, arsyeja e vërtetë “ishte “kërcënimi” i pushtetit të kryetarit të Bashkisë së Durrësit nga prezenca ime si deputet i Partisë Socialiste në këtë qark, për mua një arsye banale atribut i njerëzve “të vegjël””, duke bërë një lojë fjalësh për shtat-shkurtësinë e Dakos dhe shtat-lartësinë e tij.
Duka shpjegoi: “Unë s’kam pasur rivalitet me kunatin tim. Së pari, të dy kemi qenë kontribues në këtë qark, dhe të dy kemi votuesit tanë në këtë qark. Unë dhe Koka do të fitonim edhe po të ishim në një aleancë, por me sigla të ndryshme”.
Ndërkaq, Duka shpreh mendimin se “në zgjedhjet e 23 qershorit vota për të majtën ‘e bashkuar’ ishte një votë popullore që u lexua nga kutitë e votimit dhe kjo ndodhi në të gjithë Shqipërinë, edhe në bastione të djathta, si edhe në Qarkun e Durrësit”.
Info/ Analizë e “rivalitetit” Duka-Koka, por edhe Duka-Gjergji
Në shkallë qarku, “rivaliteti” mes kunetërve ishte pothuajse “rrotë-më-rrotë”: LSI-ja e Ilir Metës mori 11 507 vota, kurse PR-ja e Agron Dukës 10 260 vota me një diferencë prej 1 247 votash në favor të partisë së majtë.
Në qytetin e DurrësitKoka ishte superior ndaj Dukës: i pari siguroi 6 406 vota për LSI-në, i dyti 3 772 vota për PR-në.
Interesant ishte votimi në qytetin e Shijakut, në dukje, bastion i Dukës, pasi PS-ja mori 44,3 për qind të totalit (2 318 vota), kurse PR-ja e Dukës 23,2 për qind të totalit (1 213 vota), gjithsesi, duke nxjerrë jashtë loje PD-në 19,3 për qind (1 011 vota); kurse LSI-ja e Kokës mori një rezultat modest: 5 për qind të totalit (265 vota).
Po ashtu Duka e “mundi” kunatin në komunën e Xhafzotajt: 667 vota PR-ja, 360 vota LSI-ja, por nuk duhet harruar se në Xhazotaj PD-ja ruajti epërsinë ndaj PS-së, ndonëse me diferencë të vogël: “blutë” morën 2 217 vota ndaj 1 964 vota të “mavive”.
E njëjta situatë rrodhi dhe në komunën e Katundit të Ri: PD-ja mori rreth 40 për qind të totalit (2 111 vota) kundrejt PS-së me 25,6 për qind (1 357 vota), kurse parti e tretë u radhit PR-ja e Dukës me 12 për qind (637 vota), kurse LSI-ja e Kokës mori 301 vota (rreth 5,7 për qind të totalit.
Edhe bashkia e Sukthit ruajti primatin e PD-së, që mori rreth 37 për qind të totalit (2 955 vota), kundrejt PS-së me 36 për qind (2 878 vota), ku Agron Duka mori 583 vota, kurse kunati i LSI-së 436 vota.
Simboli i PD-së,komuna e Rrashbullit ishte një nga befasitë, ku, për herë të parë PS-ja del në epërsi: rreth 40 për qind (4 068 vota), kurse PD-ja me rreth 37, 6 për qind (3 827 vota); por këtu LSI-ja del në epërsi: 664 vota (6,5 për qind e totalit) kundrejt PR-së me 5,4 për qind (547 vota).
Duka ka mundur të penetrojë dhe në komuna të majta si Manza, ku PR-ja ka marrë 228 vota, LSI-ja 165 vota; në Maminas (Duka 238, Koka 146 vota), Ishëm (Duka 161, Koka 157 vota), Gjepalaj (Duka 211, Koka 91 vota), Fushë-Krujë (Duka 962, Koka 925 vota).
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





