Më 23 qershor 2013 në qytetin e Durrësit PS-ja 30 039 vota përkundrejt PD-së që mori 24 329 vota, me një diferencë 5 710 votash

DURRËS, 21 korrik 2013 – Brenda PD-së ka pasur një vullnet “gri” që të ndodhte ajo që po ndodh aktualisht brenda saj, kështu ka deklaruar, natyrisht i udhëzuar, këshilltari i kryeministrit Sali Berisha, por edhe sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në parti Ferdinand Xhaferaj.

Në prag të përfundimit të garës për pasardhës së z. Sali Berisha në krye të PDSH-së, njeriu që nuk ishte ndier dy vjetësh, pas disfatës katastrofike përballë Vangjush Dakos për kreun e bashkisë Durrësit, Ferdinand Xhaferaj paralajmëron opinionin publik se në mazhorancën në ikje do të ketë “katarsis”.

Këtë fakt këshilltari i kryeministrit Sali Berisha, por edhe sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në parti Xhaferaj e bëri publik më 21 korrik 2013, një ditë para votimit në PD, në një gazetë jo aq miqësore me PD-në, sikurse është e përditshmja Shqiptarja.com.

Sipas Xhaferajt, “në mënyrë të padiskutueshme kryeministri dhe kreu i PD ka përgjegjësinë e vet për përmasat e humbjes që nuk ishte parashikuar as nga vetë Partia Socialiste dhe aleatët e saj në koalicion. Por ajo që mund të them është se këto fakte tregojnë jo vetëm problemet e blerjes së votës nga ana e PS, por duket qartë që dhe vetë brenda Partisë Demokratike ka pasur një vullnet “gri” që të ndodhte ajo që po ndodh aktualisht brenda Partisë Demokratike”.

Bie në sy se në turet e tyre në degët e PD-së, kandidatët për post-Berisha nuk bënë fjalë për diversione brenda partisë, me sa duket, për të mos frikësuar krerët vendorë të degëve, që mund t’i sabotinin.

Me sa duket, Xhaferaj është udhëzuar nga vet Berisha për të folur tërthorazi për fushatën e ardhshme të spastrimeve në PD.

Nuk përjashtohet që të parët, të cilët mund të bëhen “tabelë qitjeje” të jenë drejtuesit e degës së qytetit nr. 2 të Shqipërisë.

Info/ Një mikroanalizë e rezultateteve 20011 e 2013

Kanë qarkulluar zëra se fushata e z. Xhaferaj për kryetar bashkie në Durrës, kur ai dorëzoi mandatin e deputetit dhe postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u sabotua nga brenda PD-së vendore, kjo nisur nga diferenca e jashtëzakonshme e votave në favor të kundërshtarit të tij të majtë, pavarësisht se për PD-në punoi edhe LSI-ja, si kandidat i përbashkët.

Në total Ferdinand Xhaferaj si koalicion “Aleanca për Qytetarin” mori 29 785 vota  ose 47.16 % të totalit (si parti më vete PD-ja mori 18 135 vota, kurse LSI-ja i dha 5 064 të tilla).

Kurse Vangjush Dakoja si koalicion “Aleanca për të Ardhmen” mori 33 368 vota ose  52.84 %  të totalit (si parti më vete PS-ja mori 23 779 vota).

Diferenca si koalicion është 3 583 vota më shumë e majta, kurse si parti 5 644 vota më shumë PS-ja.

Një rezultat i tillë, brenda qytetit të Durrësit nuk ishte parë që nga zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri.

Në fokusin e analizës në degën e PD-së së Durrësit do të jetë dhe analiza e 23 qershorit 2013, ku vetë selia blu, si parti më vete, doli me “këpucë të kuqe” përballë PS-së, sidomos në qytet.

Në shkallë qarku në zgjedhjet e vitit 2013, jo si koalicion,  vetë PS-ja mori 60 243 vota, kurse PD-ja 52 113 vota, me një diferencë prej 8 130 votash.

Kurse në qytetin e Durrësit PS-ja 30 039 vota përkundrejt PD-së që mori 24 329 vota, me një diferencë 5 710 votash, duke e thelluar më tej krizën e PD-së në raport me vitin 2011, kur diferenca ishte 5 644 vota.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/