TIRANË, 20 korrik 2013 – Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar, më 20 korrik 2013, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 2:47:52 GMT ose 4:47:52 (koha e Shqipërisë) lëkundje toke me magnitudë M=2.1 në thellësinë 17 km (shih etiketën në hartën e parë).
Sipas departamentit të sizmologjisë së institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të universitetit publik Politeknik të Tiranës, tërmeti minor ka ndodhur në një zonë 6 km në vijë ajrore në lindje të qytetit të Kurbneshit, lokalizuar në koordinatat 41.77°N, 20.17°E (shih shigjetën e gjelbër në hartën e dytë).
Ngjarja sizmike është ndier në anën e kundërt të malit, ku ndodhen liqenet e Lurës, në kufirin ndarës administrativ të qarqeve të Lezhës (Mirditë) dhe Dibrës.
Nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.
Info/
Kurbneshi (me status qyteti) ndodhet në juglindje të rrethit të Mirditës dhe është qendra e komunës Selitë; zonë malore e pasur me pyje dhe pasuri minerare; komuna e Selitës ka nën juridiksion fshatrat Burbnesh, Lufaj, Bardhaj, Lëkundë, Zajs, Kthellë e Sipërme, Kurbnesh Fshat, Mërkurth, Kumbull.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





