PRISHTINE- Një ditë pasi publicisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja, e ka quajtur vrasës kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ka vonuar reagimi i këtij të fundit. Kreu i AAK-së ka thënë se deklarata e Lubonjës është një befasi jo e këndshme.
“Kërkoj nga Lubonja që ta lexojë vendimin e gjykimit të dytë, ku Gjykata e Hagës e ka precizuar qartë se jo vetëm që nuk kam kryer vepra të tilla, por kam ndihmuar për të kundërtën. Miqtë e miqve të armiqve janë zgjuar nga gjumi në një fushatë negative dhe kjo do të rritet për ditë e më tepër në Kosovë, nga njerëz të cilët i shfrytëzojnë pozitat e tyre që ky vend të mos zhvillohet”, deklaroi Haradinaj.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që këtë akt të Lubonjës ta ndjekë edhe përmes procedurave ligjore, në mënyrë që të mbrojë imazhin e tij.
Fatos Lubonja, publicist i njohur shqiptar, në një shkrim për një revistë gjermane e ka cilësuar Ramush Haradinajn një vrasës, që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve.
(burimi /Balkanweb)





