DURRËS, 19 Korrik 2013 – Në një raport të agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë vlerësohet zyra e njësisë së kontrollit të përbashkët policor e doganor në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit, që u përurua më 11 shkurt 2013.

Sipas Pallatit të Qelqtë, porti i Durrësit është më i madhi në Ballkanin Perëndimor, prandaj po ndihmohet Shqipëria për krijimin e një strukture të qëndrueshme të zbatimit të ligjit për të minimizuar përdorimin  e kontejnerëve detarë për narko-trafikim dhe aktivitete të organizuara kriminale transnacionale.  

Porti i Durrësit bën pjesë ndër 17 portet e përzgjedhura në të gjithë botën, në të cilët po zbatohet projekti global për kontrollin e përbashkët, që strukturat e policisë dhe doganave ushtrojnë në terminalet e kontejnerëve.

Kjo njësi është pjesë e programit global të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër drogave dhe krimit (UNODC) dhe të Organizatës Botërore të Doganave (OBD).

Janë kryer një sërë trajnimesh.

Rezultatet e para të punës së njësisë së kontrollit të përbashkët të kontejnerëve në portin e Durrësit janë të prekshme, thotë OKB-ja.

Kështu më 21 maj 2013 nga sektori antidrogë i drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit dhe njësia e kontrollit të përbashkët të kontejnerëve u realizua me sukses një operacion për konfiskimin 7 kg e 939,75 gr heroinë, thotë Programi Rajonal i UNODC për Evropën Juglindore.

Të dhënat operative tregojnë se destinacioni i drogës ishte Italia dhe se droga vinte nga Turqia.

Shënim: Fotot nga puna në portin e Durrësit janë marrë nga sajti UNODC-it për Evropën Juglindore.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/