Tirane, 18 Korrik 2013 – I ftuar sonte në emisionin Top Story të Sokol Ballës në TCH, Sokol Olldashi nuk ka dashur të përveshë mëngët ‘personalisht’ me Bashën. I pyetur nga Balla për posterat e Bashës në Kukës, ku ai figuronte mes Berishës e Hajdarit, Olldashi fillimisht u shpreh “se nuk më duken si postera të bërë nga Luli” dhe pavarësisht se Basha i ardhur vonë në PD as që e ka njohur personalisht Hajdarin, e mbrojti rivalin duke thënë që “nuk nevojitet njohje personale për të njohur vlerat e Hajdarit.”

Përballë një paneli gazetarësh, Olldashi përmendi De Golin e Churchillin, të rikthyer në politikë edhe pas humbjes me vota për të përcjellë idenë se Berisha nuk ka pse të largohet përfundimisht nga politika, nëse votohet.

Në raport me Islamin, deputetin “punist” në radhët e PD, ai ngulmoi tek nevoja për të mbajtur një spektër politik të djathtë, edhe pse vlerësoi se Islami vjen nga një opozitë.

I pyetur nëse, si Islami, troket në derë edhe Meta, Olldashi tha se “e pranojmë, por pa bllok. Por, ai [Meta] nuk mund të rrijë pa bllok”. Olldashi tha se pafajësinë nuk ia dha PD, por gjykata, dhe se po të ishte vetë gjykatës do të kishte marrë një vendim tjetër për Metën. “Instikti im prej gazetari më bën të besoj se kishte bllok [pavarësisht vendimit të Gjykatës që bllok nuk kishte]” tha Olldashi.