18.07.2013 – Bayern Munchen i ka dhuruar trajnerit të ri Pep Guardiola mesfushën më cilësorë në gjithë historinë e klubit. Trajneri spanjoll do të ketë probleme me luksin, madje do ta ketë më të vështirë se Jupp Heynckes sezonin e kaluar. Me blerjen e Thiago Alcantaras, konkurrenca në ekip është bërë maksimale, si asnjë herë tjetër. Guardiola ka të drejtën e zgjedhjes. 
Ai ka në dispozicion 10 mesfushorë për pesë pozicione: Javi Martinez, Schweinteiger, Gotze, Gustavo, Thiago, Shaqiri, Robben, Ribery, Muler dhe Kroos. Madje, në shumë raste rolin e mesfushorit e bën si Pizarro, Lahm dhe Alaba. 
Lind pyetja: Me cilët mesfushorë do startojë Bundesligën më 9 gusht kundër Borussia M’Gladbahut? Cilët yje do qëndrojnë në stol? Në total, vlera e tyre është 319 milionë euro. 
Kaq shumë nuk vlen as i gjithë ekipi i Braunschweig, Augsburg, Mainz 05, Hertës, Nurnberg, Freiburg dhe Hoffenhaim, të cilët në total vlejnë 308 milionë euro. Vetëm ky krahasim mjafton për të dalë në konkluzione sesa konkurrente do jenë ekipet e Bundesligës në përballjet me kampionët e Gjermanisë. 
Me Martinez dhe Schweinsteiger si mesfushorë defensivë, i dhanë balancat e duhura filozofisë së Jupp Heynckes me skemën moderne 4-2-3-1. Por, Pep Guardiola nuk duket se do bazohet te ky sistem, sidomos pas ardhjes së Thiago Alcantaras. 
Duke u bazuar në eksperimentet e bëra deri tani, trajneri Pep Guardiola është fokusuar më shumë te skema 4-1-4-1 dhe 3-3-3-1. Duke u bazuar te eksperienca e spanjollit te Barça, mediat spekulojnë se Guardiola ka në kokë një skemë të ngjashme si te katalanasit, me një mesfushor defensiv. Variantet janë me Javi Martinez në qendërmbrojtje ose ai të pozicionohet në trekëndëshin e mesfushës me Schweinsteiger dhe Thiago Alcantara.