DURRËS, 17 korrik 2013 – “Ndizet” gara për pasuesin e z. Sali Berisha në krye të partisë, ndërkohë që qarku i Durrësit, vend-lindjeje-dhe-startimi në PD i Sokol Olldashit, konsiderohet si “depozitë” votash për të.

Nga një sondazh i bërë nga struktura të PD-së së Shijakut, del se në qytet dhe komunat e Xhafzotajt, Rrashbullit dhe Katundit të Ri Olldashi është dukshëm përpara rivalit të tij Lulzim Basha.

Dhe ç’është e vërteta, në qytetin buzë Erzenit, ku Olldashi ka kaluar vite internimi, rivali durrsak ka kredibilitet dhe për faktin se ka qenë deputet i zonës, pasi mundi në vitin 2005 z. Agron Duka, atëherë kandidat i PS-së së Fatos Nanos.

Si deputet, por edhe si ministër dhe drejtues i lartë i PDSH-së dhe një nga themeluesit e degës së Durrësit, Olldashi u imponua që shumë shijakas që e ndihmuan për të dalë deputet, të punësoheshin në Durrës, kryesisht në portin detar dhe gjetkë, ku drejtorët ishin ose në varësi të tij ose ishin caktuar po nga ai vet, por duke sakrifikuar dhe durrsakë “blu” sidomos në port, por që banonin në zona bastion si “Sefer Efendiu” etj.

Por nga ana tjetër, kjo i kushtoi, si faktor jo pa rëndësi, kandidatit për kryetar bashkie të Durrësit ish-zëvendësministrit të Punëve Publike dhe Transportit, z. Armand Teliti (aktualishi kryetar i këshillit të qarkut) përballë kandidatit “18-ditor” të PS-së, Vangjush Dako.

Pikërisht, goditjen e fundit ia dha “Sefer Efendiu”, pasi agjitatorët socialistë u bënë të qartë militantëve të PD-së se në port i kishte pushuar nga puna drejtori Eduard Ndreu, kryetar i shtabit të Telitit, për hatër të shijakasve të Olldashit!

Kështu ndodhi me të pushuarit e PD-së në Ujësjellës dhe Hekurudhë, që u “manipuluan” nga socialistët dhe për mandatin e dytë të Dakos kundër z. Ferdinand Xhaferaj.

Këta të pakënaqur të PD-së nuk janë pak, rreth 200 vota minus në Durrës për Olldashin.

Një grup më vete përbëjnë veteranët e PD-së, bashkëthemelues me Olldashin, që shquhen për një frymë qytetarie, por që janë mënjanuar, gjë që mund të ndikojë në abstenim.

Ndërkaq, deklarimi i kandidatit durrsak se më 21 janar do të ishte më radikal se Berisha dhe Basha, ka ngjallur  jo pak shqetësim në segmente të moderuara, tipike durrsake, të PD-së së Durrësit, gjë që mund t’i prishë punë, duke shtuar radhët e abstenuesve.

Po ashtu ka militantë që respektojnë vetëm Doktorin (kryesisht të ardhur nga veriu) dhe që “nuhasin” apo janë indoktrinuar me idenë se z. Berisha parapëlqen Bashën.

Nga sondazhet reale del që në qytetin e Durrësit votat mund të jenë gjysmë për gjysmë.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/