Foto ekskluzive të “Dyrrah”-ut / Arsenali i armëve i kapur më 17 korrik 2013 në Rrashbull, gjatë shkarkimit dhe ekspozimit në mjediset e drejtorisë së policisë së qarkut

DURRËS, 17 korrik 2013 – Në dy operacione policore të uniformave blu bregdetare dhe kryeqytetase të zhvilluara në fshatin Shkallnur të komunës së Rrashbullit dhe fshatin Hamallaj të bashkisë së Sukthit janë kapur dy arsenale armësh, të denja për mite hollivudiane si “Rambo”.    

“Dyrrah”-u ka arritur të fotografojë një arsenal armësh të kapur në Shkallnur, teksa po shkarkoheshin në mjediset e drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit.

“Dyrrah”-u ka mundur të identifikojë nga foto: 2 mitralozë të përshtatur për qitje me kundërajror, 3 automatikë “kallashnikov” të tipave të ndryshëm, 3 pistoleta “TT”, 12 granata dore mësymëse, disa arka me tritol, 2 arka me predha kundërtanke që përdoren për granatahedhës të lehtë, një sasi e konsiderueshme fishekësh me arka metalike dhe druri, krehra fishekësh për armë automatike.

Në Shkallnur është ndaluar një shtetas 28-vjeçar, A.H., i cili fillimisht ka kundërshtuar blutë, pastaj ka bërë negociata dhe i janë vënë prangat.

Ndërkohë, fill pas operacionit të parë, është vazhduar në Hamallaj.

Në një automjet “benz” të parkuar në oborr dhe në banesën e familjes Q. janë gjetur  dhe sekuestruar, sipas burimeve të “Dyrrah”-ut, 5 mitralozë të lehtë, 4 automatikë “kallashnikov”, 3 pushkë vetëmbushëse, 1 granatahedhës, 2 pistoleta “TT”, 15 arka me fishekë, 1 granatë dore.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/