TIRANË- Kryeministri në detyrë, Sali Berisha në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u shpreh se PD po mban një premtim të sajin duke rritur rrogat dhe pensionet edhe për këtë vit. Sipas tij, ky vendim duhet të ishte marrë që në muajin qershor, por për të mos u përdorur për qëllime elektorale, siç tha ai, ky vendim u mor në këtë moment. 



Pas rritjes së pagave me 11%, Berisha u shpreh se qeveria do rrisë pensionet me 4% për mijë persona, ndërsa në fshat pensioni do të rritet 5 për qind. 



“Rritja e rrogave bëhet motivim dhe stimul për administratën për një performancë më të mirë. Kjo politikë konstante e jona, ky vendim do merrej në qershor, por nuk u mor që të shmangej cdo lloj keqkuptimi të përdorimit të tij për qëllime elektorale. PD dhe qeveria e saj u përmbahen disa parimeve shumë solide, të ndershme e të drejta, u shty pas zgjedhjeve për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij. 



"Në cdo vit kemi rritur rrogat dhe pensionet 2 deri në 4 herë më shumë se inflacioni dhe rritja është më e madhja e realizuar në këto vite në ndonjë vend. Ky vendim parashikon rritjen në masën 4% të pensioneve, për një numër prej 590 mijë personash, rriten pensionet e plota, të pjesshme e të reduktura, pensionet familjare, apo shtesat mbi pensionin e posacëm shtetëror. Me këtë rritje nuk do të ketë pension ndër 12 mijë e 24 lekë, ky është pensioni minimal në qytet. Në fshat, në rast se ka qënë 3 e 400 lekë, do jetë në 8 mijë e 232 lekë, pra rritet më shumë se dyfishi, rritja kësaj herë është rreth 5%”, tha Berisha. 



Berisha theksoi më tej se rritja e pensioneve pasohet nga ajo e rritjes së pagave minimale me 11%. Ai shtoi se nga kjo rritje përjashtohen ministrat e deputetët, ashtu si edhe një vit më parë. 



Sipas tij, janë pikëpamje keqdashësish ato të cilat shprehen se, qeveria nuk garantomn dot pagesën e pagave dhe pensioneve. Berisha shtoi se, “Pikëpamjet e panikut janë të përhapura për qëllime keqdashëse. Ka para për cdo rrogë e pension në mënyrë të padiskutueshme, fondi i pagave është 100% i garantuar. Cdo vit qeveria ka marrë masa për shkurtimin e shpenzimeve të tjera për të garantuar rrogat e pensionet”, vijoi ai. 



Kryeministri theksoi se të ardhurat janë dyfishuar për shkak të një performancë shumë të mirë të institucioneve të mbledhjes së të ardhurave dhe të ekonomisë shqiptare.



Në lidhje me mandatin e qeverisë së tij, Berisha u shpreh se Kushtetuta e garaton funksionimin e saj të plotë si në ditën e parë ashtu edhe të fundit, ndërsa ironizoi zyrat paralele të ngritura, sic tha ai. 



“Kushtetua e përcakton qartë se kur mbaron mandati i një qeverie dhe kur i fillon një tjetre, për parlamentin dhe qeverinë nuk ka kufizime deri ditën e fundit. Qeveritë kujdestare të lidhura me zgjedhjet, janë vetëm në Bangladesh, por edhe ky vend e ka të fiksuar në kushtetutë. Asnjë kufizim nuk mund t’i bëhet qeverisë deri ditën e fundit, e garanton kushtetura. Ky është morali, mund të ngrihen jo një por 5 zyra, ata që flasin për qeveri në detyrë, është qeveri e një kryeministri të dorëhequr. Këto janë nocione themelore kushtetuese. Ata që tregojnë padurim e nguten, gabojnë, Kushtetura është e tillë në gërmë e frymë. Në këto etapa nuk shërben injoranca”, vijoi Berisha. 



(burimi: BalkanWeb)