16 Korrik 2013 – Njerëzit të cilët bëjnë një jetë të shëndetshme dhe qe rregullisht kryejnë aktivitetet fizike kanë më pak mundësi të zhvillojnë sëmundje kronike, duke përmendur këtu diabetin jo insulinvartës, sëmundjet kardio-vaskulare, sëmundjet tumorale, si dhe sëmundjet mendore. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se sëmundjet jo të transmetueshme përbëjnë rreth 89 për qind të të gjitha vdekjeve në Shqipëri (59 për qind nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 18 për qind nga llojet e ndryshme të tumoreve. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, rezulton se përhapja e përgjithshme e diabetit, të diagnostikuar dhe të padiagnostikuar, prek mbi 5 për qind të popullatës, ndërkohë që zyrtarisht të identifikuar janë vetëm 1.5 për qind e tyre, të cilët ndjekin trajtimin e rregullt mjekësor pranë institucioneve shëndetësore.
Kundrejt këtyre rasteve i mëshohet gjithnjë e më shumë idesë për të mos neglizhuar aktivitetin fizik, si një ndër format më të mira të parandalimit të këtyre rreziqeve. Specialistët e shëndetit tregojnë se personat me aktivitet fizik ditor të vazhdueshëm mund të mbajnë peshën e tyre trupore në normat e lejuara, krahasuar me personat e tjerë që janë indiferentë ndaj zhvillimit të aktiviteteve fizike, e për rrjedhojë bien pre e sëmundjeve të ndryshme. Mënyra aktuale e jetesës kërkon aktivitet më të pakët fizik si pasojë e rritjes së përdorimit të makinave, shikimit të televizorit dhe aktivitetit të pakët fizik në shtëpi, për shkak të modernizimit të aparaturave elektrike.
Kësaj i shtohen edhe zakone të tjera të mënyrës së jetesës (si pirja e duhanit), shtimi i peshës, të cilat kontribuojnë në rritjen e rrezikut ndaj sëmundjeve kronike. Në këto kushte është tepër e rëndësishme që dieta e shëndetshme të kombinohet me aktivitet fizik ditor të nevojshëm, për të minimizuar jetën sedentare, që klasifikohet si një faktor risku i zakonshëm për shumë sëmundje kronike. Më tej specialistët e shëndetit vënë në dukje se individët që përfshijnë në rutinën e mënyrës së tyre të jetesës ndjekjen e aktivitetit fizik do të kenë përmirësime jo vetëm të mirëqenies së tyre fizike, por edhe të shëndetit mendor.





