TIRANE, 12 korrik 2013 – Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, ka sulmuar kreun e PS-së, Edi Rama, në lidhje me hapjen e zyrës së re të kryeministrit të ardhshëm pranë selisë rozës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Berisha thekson se në Republikat Parlamentare Evropiane kryeministri emërohet nga kryetari i shtetit ose Parlamenti dhe gjithnjë votëbesohet në Parlament.

Berisha akuzon Ramën se ai është vetëshpallur kryeministër i zgjedhur pasi shkel procedurat.

“Revanshi të verbon, të bën Enver, por dhe Don Kishot! Nga Republika Parlamentare tek Republika e Edi Ramës! Të dashur miq, z.Rama ka hapur në selinë mavi, ngjitur me zyrën e tij prej kryetari të PS-së, zyrën e tij të ‘kryeministrit te zgjedhur’”, ka shkruar Berisha.

“Kushtetuta e Shqipërisë dhe e të gjitha Republikave Parlamentare dhe Mbretërive konstitucionale të Evropës nuk njohin Kryeministër të zgjedhur pasi në zgjedhje të përgjithshme zgjidhen vetëm deputetët, kurse vetë Kryeministri emërohet nga Kryetari i shtetit ose Parlamenti dhe gjithnjë votëbesohet në Parlament… Revanshi të verbon, të bën dhe Enver, por dhe Don Kishot”.